Seria e debateve për qeverisjen lokale në komunat e Kosovës, ka vazhduar sot me kryetarin e Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, në kampusin e Kolegjit AAB në Prishtinë.
Ai në këtë ligjërate mes tjerash foli për sukseset dhe mangësitë që ka komuna e Klinës, duke shtuar se si kryetar është gjithmonë në shërbim të qytetarëve dhe se transparenca dhe llogaridhënia ndaj tyre është në rend të parë.
“Cdo kërkesë që është bërë nga institucionet, nga gazetarët, nga qytetarët unë e kam dërguar tek organet kompetente dhe kanë marrë përgjigje. Do të thotë tansparenca është përkushtim i imi dhe obligim, sepse mendoj qe ka ekzistuar një binjde e qytetarëve qe kryetarët vinë në këto pozita për përfitime materiale, më besoni se unë jam këtu për t’ i shërbyer qytetarit”, shtoi Elezaj.
Ndërsa, si sfidë për komunën e Klinës ai e cilësoi papunësinë e madhë të të rinjëve, sipas tij një komunë si pikë të parë duhet ta ketë punësimin e studentëve.
Ai theksoi se qëllimi kryesor në mandatin e tij si kryetar është stimulimi i të rinjëve se si të arrijnë të hyjnë në tregun e punës.
Tutje, kryetari Elezaj diskutoi me studentët edhe për vendimin e fundit marrë nga Qeveria e Kosovës për ngirtjen e taksës së produkteve serbe.
Ai tha se ky vendim është i duhur për Kosovën.
“Po flas si individ, mendoj që është hap, hapi më i mirë që ka marrë Qeveria e Kosovës, që të dëshmojmë se dimë ta mbrojmë vendin prej kërcënimeve të caktuara, është e drejtë e jona, sidoqoftë është përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës të përgadisë e krijojë skenar se si të mbrohemi kur janë në pytetje këto situata”, tha kryetari Elezaj.
Takimi me studentë i kryetarit të Klinës në Kolegjin AAB përfundoi me një diskutim interaktiv, ku studentët u interesuan për çështje të ndryshme me të cilat ballafaqohet qeverisja lokale.