Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, kryeparlamentari Kadri Veseli, ka folur rreth projektligjit të marrëveshjes së Demarkacionit, që dje Qeveria ia procedoi Kuvendit.
Veseli ka treguar se Kryesia e Kuvendit nuk ka biseduar për Demarkacionin dhe se projektligji fillimisht diskutohet në komisionin parlamentar për Integrime Evropiane.
“Projektligji njëherë duhet të kalojë në Komision e pastaj vjen në Kuvend. Nuk është çështje partiake, as nuk do të duhej të ishte çështje e opozitës apo pozitës”, ka thënë Veseli.
“Duhet të përfundojë çështja e shënimit me Malin e Zi dhe të kalojmë kah Serbia. Po ju japim mundësi armiqve të shtetit që të kenë involvim në çështjet tona të shtetit”, ka shtuar ai.
Veseli ka shprehur edhe njëherë qëndrimin e partisë së tij rredh Demarkacionit, duke u shprehur i bindur se Kosova nuk po dëmtohet me humbje të territorit por me humbje të kohës që po i kushton progresit të saj.