Aktuale

Kryesia e Kuvendit mblidhet në orën 14:00 për mocionin

Kryesia e Kuvendit do të mblidhet në orën 14:00 për ta shqyrtuar mocionin për thirrjen e seancës për shkarkimin e Qeverisë “Mustafa”, pasi opozita dorëzoi 42 nënshkrimet e deputetëve për votimin në Kuvend të mosbesimit ndaj Qeverisë.

Ftesat e anëtarëve të Kryesisë dhe shefave të grupeve parlamentare për mbledhje të Kryesisë tashmë u janë dërguar nga Kuvendi, raporton Gazeta Express.

Të premten në mëngjes, shefat e grupeve parlamentare të opozites VV, AAK dhe Nisma kanë dorëzuar mocionin në Kryesi, me 42 nënshkrimet e mbledhura nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Prej këtyre nënshkrimeve, 10 firma ishin të deputetëve të koalicioni qeverisës PDK-LDK dhe pakicat.

Mocioni i mosbesimit ndaj një Qeverie, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, mund të ngrihet me propozimin e një të tretës (1/3) së deputetëve të Kuvendit. Pas dorëzimit të tij në Kryesi, mocioni i mosbesimit vihet në rendin dite në Kuvend, jo më vonë se pesë ditë nga paraqitja, e as më herët se dy ditë nga data e parashtrimit të tij, shkruan Gazeta Express.

Mocioni konsiderohet i pranueshëm për ta dorëhequr Qeverinë në rast se siguron shumicën e votave të deputetëve në Kuvend. Ndërsa, në rastet kur kjo nuk arrihet, mocioni tjetër i mosbesimit mund të iniciohet 90 ditë pas. /GazetaExpress/