Autoritetet e kryeqytetit iranian, Tehran, e kanë ndaluar shëtitjen me qen në vende publike si pjesë e një fushate të gjatë kundër mbajtjes së qenve si kafshë shtëpiake.
Shefi i policisë së qytetit, Hossein Rahimi, ka thënë se kanë marrë leje nga zyra e prokurorit për këtë ndalesë dhe do të marrin masa ndaj njerëzve që shetiten me qen në vende publike, përfshirë parqet e qytetit. Ai e ka arsyetuar këtë vendim për shkak të frikës dhe ankthit që po shkaktojnë qentë në mesin e kalimtarëve.
Për më tepër, autoritetet e kanë ndaluar edhe transportimin e qenve me vetura. “Vozitja e veturës me qen brenda saj është e ndaluar dhe masa serioze do të merren kundër vozitësve që kapen duke e bërë këtë shkelje”, tha zyrtari policor për një agjenci lajmesh.
Mbajtja e qenit si kafshë shtëpiake dhe shëtitja me këtë kafshë në vende publike ka ngallur kundërshtime të vazhdueshme në Iran prej Revolucionit Islamik të vitit 1979. Policia në disa raste ua ka konfiskuar qentë pronarëve që janë shëtitur me ta në vende publike.
Qentë vlerësohen si kafshë të papastra nga autoritetet iraniane dhe mbajtja e tyre si kafshë shtëpiake shihet si shenjë e politikës pro-perëndimore të monarkisë së rrëzuar nga pushteti, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.