Aktuale

Kryeprokurori Hoxha: Po mbledhim fakte për rastin Dehari, ende s’ka asgjë të re për autopsinë

Kryeprokurori i rajonit të Prizrenit, Sylë Hoxha, ka thënë se ende nuk ka asgjë të re rreth autopsisë së Astrit Deharit. Ai ka thënë po ashtu se ende janë duke mbledhur prova, ndërkohë që në EULEX thonë se vetëm janë duke e monitoruar rastin.

Procesi e hetimeve mbi vdekjen e aktivistit të ndjerë të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Astrit Dehari, është duke u monitoruar edhe nga ana e misionit ndërkombëtar EULEX në Kosovë.

Zyrtarë të këtij misioni kanë thënë për Gazetën Express se rasti është në përgjegjësi të autoriteteve të Kosovës, por që i njëjti po monitorohet nga EULEX-i.

“Eulex-i është duke e monitoruar rastin, që është përgjegjësi e autoriteteve të Kosovës”, ka thënë Besa Domi nga zyra për informim e misionit ndërkombëtar në Kosovë.

Ndërkohë që autoritetet kosovare të cilat po merren me zbardhjen e rrethanave të vdekjes së Deharit, theksojnë se nuk janë në dijeni se EULEX është i kyçur në këtë rast.

“Me sa di unë EULEX-i ka ardhur atë ditë në qendrën e paraburgimit kur kemi qenë në vendin e ngjarjes. Ende nuk më ka thënë askush që është i kyçur EULEX-i në këtë rast”, ka thënë kryeprokurori në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha.

Ndërkohë që Hoxha ka theksuar se Prokuroria është në pritje të analizave të autopsisë e cila do të vërë në dritë rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit. Ai ka thënë se deri në fund të kësaj jave ato do të jenë në duar të Prokurorisë.

“Ende nuk kemi asnjë të re sa i përket çështjes së autopsisë. Jemi duke i grumbulluar provat, faktet. Unë dje kam thënë se po presim deri në fund të javës nëse nuk del ndonjë gjë tjetër me e pritë forenzikën edhe për ndonjë çështje tjetër. Këtë rast e kemi prioritet”, ka thënë Syla.

Astrit Dehari, aktivist i “Vetëvendosjes” vdiq të shtunën e kaluar më 5 nëntor në rrethana ende të pasqaruara, ndërsa autopsia e tij u krye dy ditë më pas. /GazetaExpress/