Aktuale

Kryeparlamentari Veseli: Prishtina është bërë qytet i pajetueshëm

“Prishtina është bërë ambientalisht qytet i pajetueshëm”, tha kryeparlamentari Kadri Veseli, në seancën e jashtëzakonshme kushtuar ndotjes së ajrit në Prishtinë. Ai tha se kjo situatë nuk mund të anashkalohet edhe nga Kuvendi i Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka kërkuar bashkëpunimin e gjitha institucioneve përgjegjëse që të nisin punë konkrete të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e ajrit në Prishtinë dhe komunat tjera.

“Rangimi në krye të listave të qyteteve më të ndotura është një gjë që duhet të na alarmojëtë gjithëve. Ne i kuptojmë përgjegjësitë e ndara institucionale, por kjo nuk na krijon komoditetin që ta hedhim fajin dhe përgjegjësinë andej e këndej për situatën”, tha Veseli, transmeton Express.

Ai ka propozuar që nga kjo seancë të dalin me rekomandime, ose rezolutë, për hapa konkretë, për të siguruar një zgjidhje afatgjate.

Propozoi mbështetjen buxhetore për zhvillimin më të shpejtë të zgjerimit të projektit të ngrohjes përmes koogjenerimit.

Përmendi mbjelljen e drunjve në gjitha komunat e Kosovës, e në veçanti në zonat urbane.

Në fund ftoi deputetët për debat sa më përmbajtjesor në dobi të vendit dhe qytetarëve./ Gazeta Express