Rajon & Botë

Kryeministri Saulius Skvernelis merr votëbesimin e Parlamentit

Parlamenti lituanez miratoi sot politikanin e qendrës, Saulius Skvernelis në postin e kryeministrit të këtij vendi baltik, pas fitores së papritur të formacionit të tij në zgjedhjet legjislative në muajin tetor.

Saulius Skvernelis, 46 vjeç, ish-shef policie dhe ministër i Brendshëm, ka tashmë 15 ditë për të paraqitur kabinetin e tij të përbërë nga Unioni i Fermerëve dhe të Gjelbërve (LPGU), formacioni i tij me aleatin social demokrat (SDE).

Kryeministri mori mbështetjen e 90 deputetëve në Parlament nga 141 vende. Votimi për programin e ri pritet në muajin dhjetor.

Në një fjalim para votimit, Skvernelis premtoi se do të luftonte padrejtësitë sociale dhe do të frenonte emigracionin e lituanezëve drejt vendeve më të pasura të Evropës perëndimore.

“Qeveria e re do të sjellë ndryshime në fushat e pabarazive sociale, demografinë dhe probleme lokale”, njoftoi Skvernelis para deputetëve.

“Shumë persona do të përfitojnë nga rritja ekonomike”, nënvizoi ai.