Aktuale

Kryeministri Mustafa pranon që u pengua nga serbët, fyen mediat

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka pranuar se është penguar nga një grup serbësh për të shkuar në inaugurimin e urës që lidh Zveçanin dhe Leposaviqin, të cilën gjë e kishte mohuar gjatë ditës.

Në një shkrim që ka postuar në Facebook, Mustafa shkruan se disa mediumeve tona u pëlqen më shumë një deklaratë fëmijaqe e një politikani serb dhe ajo për ta është më e rëndësishme, “sesa prezenca jonë në ngjarje të tilla”.

Kryeministri Mustafa bashkë me ministrin e FSK-së, Haki Demollin dhe atë të Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, sot kanë përdorur rrugët alternative për shkak se rreth 100 serbë e kanë bllokuar rrugën Zveçan-Leposaviq, përkatësisht në Rudare.

Por, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka mohuar se iu është ndërprerë rruga nga serbët për të shkuar në ceremoninë e përurimit të urës që lidhë Zveçanin dhe Leposaviqin, duke thënë se kanë shkuar rrugës dhe nuk ua ka bllokuar askush, duke shtuar se ata kanë arritur me kohë.

KosovaPress ka qenë prezent në ceremoninë e inaugurimit të urës, e cila ishte paraparë të fillojë në ora 13:00, por që fillojë me 1 orë e dyzet minuta vonesë, për shkak se kryeministri Isa Mustafa është detyruar të përdorë rrugë alternative për të arritur në vendin e ngjarjes. Kjo për shkak se rrugën kryesore në fshatin Rudare, e kishin bllokuar rreth 100 serbë. Ndryshe, aty ka qëndruar edhe komandanti i KFOR-it, Giovanni Fungo për të cilin është liruar rruga.

Postimi i plotë Mustafës në Facebook:

Sot mora pjesë në inaugurimin e një ure, investim prej 400 mijë eurove nga NATO, në Kosovë. Fjala është për urën që lidh Zveçanin dhe Leposaviqin. Ishte një manifestim i organizuar nga KFOR-i. Një infrastrukturë shumë e rëndësishme komunikimi ndërmjet banorëve të asaj pjese të Kosovës, por edhe një simbolikë e veçantë.  Ura është komunikim, është lidhje, është hapje. U ndjeva mirë që isha atje. Është një investim në shtetin tim.  Kjo është esenca e ngjarjes.  Nëse dikush ka tentuar ta pengoj këtë inaugurim, atëherë ata që kanë tentuar do të kenë mbetur mjedis rruge, kurse unë si Kryeministër isha në kohën e duhur në inaugurimin e urës.  Është e mundur, por edhe e çuditshme, që disa mediumeve tona u pëlqen më shumë një deklaratë fëmijaqe e një politikani serb dhe ajo për ta është më e rëndësishme sesa prezenca jonë në ngjarje të tilla. Por, kjo nuk është e gjitha. E vërteta flet se qarqe të caktuara serbe po tentojnë ta mbajnë peng këtë pjesë të Kosovës. Prandaj nuk kanë nevojë që të kenë në krah edhe ndonjë medium të Kosovës.  Çdo rrugë në Kosovë është e jona. Me rëndësi është të arrijmë atje ku synojmë!