Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj është përballur me kritika të ashpra të opozitës në Kuvend për rritjen e pagave për kabinetin qeveritar, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Interpelanca e thirrur sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe atij të lëvizjes “Vetëvendosje” është ndërprerë për shkak të mosvotimit të rekomandimeve të opozitës.
“Vetëvendosja” dhe LDK-ja kanë lëshuar seancën pas refuzimit të partive të koalicionit qeverisës për të marrë pjesë në votimin e rekomandimeve të interpelancës.
Në anën tjetër kryeministri Ramush Haradinaj insistoi që kryeministri, kryeprokurori e gjyqtarët duhet të kenë paga të dinjitetshme, shkruan tutje “Zëri”.
Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, ka thënë se vendimi për rritjen e pagave të kryeministrit, të kabinetit të tij, rritja për 4% e pagave në sektorin publik dhe rritja e skemës sociale për 20% është konflikt i hapur interesi.
“Grupi Parlamentar i LDK-së ka thirrur interpelancë për rritjen e pagës së kryeministrit sepse kjo është në kundërshtim me ligjet në Kosovë. Ky është konflikt i hapur interesi. Vendimi është i pamatur. Meqenëse paga e kryeministrit është dyfishuar kjo dërgon një buxhet 20 milionë euro që s’është paraparë për këtë vit, vendim i kundërligjshëm i kabinetit qeveritar”, tha Hoti.