Aktuale

Kryeministri kërkon të merren masa për zbatimin e Ligjit për Duhanin

Brenda një viti vdesin rreth 2 mijë të rinj kosovarë nga konsumimi i duhanit, u tha sot në konferencën për fuqizimin e masave për zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit.

“Sipas të dhënave të raportuara brenda një viti, si pasojë e pirjes së duhanit, merret jeta e rreth dy mijë kosovarëve, pa llogaritur edhe humbjet tjera që lidhen me invaliditetin, me rënien e produktivitetit në punë, me vuajtjen dhe ngarkesat materiale e shpirtërore për familjet”, tha në konferenë kryeministri Isa Mustafa

Mustafa, përmendi ndryshimin kulturor dhe shëndetësor që solli në Kosovë ky ligj, duke krijuar mjedise të lira nga pirja e duhanit, konsumim të zvogëluar në familje por edhe ulje në ekspozim ndaj duhanit në mesin e të rinjve. Megjithatë, kryeministri theksoi se ka pasur ulje të disiplinës të organeve mbikëqyrëse dhe zbatuese që nga viti 2013, kur Ligji u aprovua në Kuvend.

Mustafa ka kërkuar që takimi i sotëm të jetë një nxitës për të korrigjuar dhe për të përmirësuar sjelljet që do të mundësonin zbatim edhe më të mirë të Ligjit.

Poashtu ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani ka kërkuar ndihmën e inspektorateve tjera për zbatimin e ligjit, por edhe të të gjitha institucioneve publike, sidomos angazhim më të madh nga ana e kryetarëve të komunave.

Ndërsa, Skënder Syla, shef i Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë potencoi se numri i madh i vdekjeve të parakohshme në Kosovë që vjen nga duhanpirja aktive dhe pasive, është dëshmi e qartë për nevojën e veprimit të menjëhershëm dhe të domosdoshëm institucional dhe individual.