Aktuale

Kryeministri Isa Mustafa takoi sekretarin Ban Ki-moon

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka takuar në Nju Jork, sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani, ministrin e Punëve të Jashtme të Kuvajtit dhe përfaqësues të vendeve tjera.

Gjatë takimit me sekretarin Ban Ki-Moon në selinë e Kombeve të Bashkuara, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, kryeministri Mustafa e njoftoi për progresin e shumanshëm që po arrihet në Kosovë.

Kryeministri Mustafa e falënderoi sekretarin Ban Ki-Moon për përkrahjen duke kërkuar mbështetje të mëtejme për Kosovën.

Në këtë kontekst, kryeministri Mustafa e informoi sekretarin e përgjithshëm edhe për përkushtimin e Kosovës për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, duke përfshirë agjencitë e Kombeve të Bashkuara.

Gjatë takimit, u bisedua edhe për proceset tjera të rëndësishme për Kosovën dhe më gjerë.

Ndërkaq, gjatë takimit me presidentin Bujar Nishani, kryeministri Mustafa shprehu mirënjohjen e qytetarëve dhe të Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e madhe që Republika e Shqipërisë dhe presidenti Nishani personalisht po japin për fuqizimin e subjektivitet ndërkombëtar të Kosovës.

Mustafa u takua edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Kuvajtit, Sheikh Sabah Al-Khalid Al-Hamad Al-Sabah, ku kërkoi përkrahje të mëtejme për njohjet e reja të Kosovës dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, mori pjesë në takimin e Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare i zhvilluar në Nju Jork, ku ishin të pranishëm përfaqësues të bizneseve shqiptare nga mbarë bota.