Kryeministri irakian, Haider al-Abadi njoftoi sot fundin e luftës së ndërmarrë që prej tre vitesh nga forcat qeveritare kundër grupit të Shtetit Islamik në Irak.
“Forcat tona kontrollojnë të gjithë kufirin irako-sirian dhe njoftoj fundin e luftës kundër ISIS-it”, theksoi ai pas hapjes së një konference të organizuar nga sindikata irakiane e gazetarëve.
“Armiku ynë kërkonte të vriste qytetërimin tonë, por ne kemi fituar në sajë të bashkimit dhe vendosmërisë tonë. Ne i mundëm në pak kohë”, shtoi ai.
Shteti Islamik pushtoi një të tretën e vendit në vitin 2014 gjatë një ofensive duke vënë në rrezik ekzistencën e shtetit irakian.