Aktuale

Kryeministri i gëzohet rizgjedhjes së Merkelit në krye të CDU-së

Rizgjedhjen e kancelares Angela Merkel në krye të CDU-së dhe kandidimi i saj për një mandat të katërt për kancelare të Gjermanisë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa e cilëson si lajm shumë të mirë.

Përmes një statusi në Facebook, ai thotë se familja e madhe e Partive Popullore Evropiane kanë dhënë përkrahje vendimtare për Kosovën në nënshkrimin e MSA-së dhe marrjen e rekomandimit për liberalizimin e vizave, përkrahje e cila do të jetë shumë e rëndësishme për ne, në të ardhmen.

Ky është postimi i plotë i Mustafës: 

Familja e madhe e Partive Popullore Evropiane (EPP), ka marrë një lajm pozitiv.

Kancelarja Angela Merkel është rizgjedhur në krye të CDU-së dhe do të kandidojë për një mandat të katërt për Kancelare të Gjermanisë.

Është lajm i mirë që në krye të CDU-së dhe të Gjermanisë, pas zgjedhjeve që do të mbahen vitin e ardhshëm, pritet të jetë sërish Kancelarja Merkel dhe CDU-ja, anëtare e Familjes së EPP-së, ku LDK-ja është anëtare shumë e respektuar.

CDU-ja dhe partitë tjera simotra në EPP, kanë dhënë përkrahje vendimtare për Kosovën në nënshkrimin e MSA-së dhe marrjen e rekomandimit për liberalizimin e vizave, përkrahje e cila do të jetë shumë e rëndësishme për ne, në të ardhmen.

Partitë e qendrës së djathtë në kuadër të EPP-së kanë dëshmuar lidership, zotësi për reforma, garanci për zhvillim dhe integrime gjithëpërfshirëse evropiane si dhe kapacitete për ballafaqim me sfidat bashkëkohore.

LDK-ja është përfaqësuesja më e denjë e këtyre vlerave në Republikën e Kosovës, duke fituar në këtë mënyrë besimin e plotë të anëtarëve të tjerë të EEP-së.

“Shtëpia nuk mbahet pa miq”, thoshte Presidenti Historik, Ibrahim Rugova.