Lajmet nuk ndalen kurrë, kështu thotë një prej sloganeve bazë të punës së gazetarëve. Edhe kjo javë për Kosovën ishte e mbushur me lajme, ngjarje e seancë Kuvendi, të cilat prodhuan mjaftueshëm informacione dite nga e hëna deri të premten.
Një kronologji e ngjarjeve në versionin e shkurtër vijnë në renditje më poshtë.
E HËNË, 16 JANAR 2017
Situata e sigurisë në Mitrovicë e qetë në këtë të hënë
Situata e sigurisë në Mitrovicë është e qetë dhe nën kontroll të autoriteteve të rendit, pas ngjarjeve të fundit që kanë ndodhur në veri të vendit. Kështu vlerësojnë përgjegjësit e institucioneve të rendit në këtë qytet.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e jugut të Mitrovicës, Avni Zahiti, ka bërë të ditur për KosovaPress se situata në jug të Mitrovicës është e qetë dhe nuk ndërlidhet me ngjarjet që kanë ndodhur ditë më parë në veri.
“Nuk ka diçka të veçantë dhe ndonjë indikacion që ndërlidhet me ngjarjet e veriut të cilat kanë ndodhë ditë më parë. Situata është e qetë, ndërsa policia vazhdon me qasje të rëndomtë sa i përket çështjes së sigurisë”, ka thënë Zahiti.
Musa Dragaj, koordinator i Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) në Mitrovicë, tha se pas ngjarjeve të fundit në veri situata aktuale e sigurisë në jug të Mitrovicës është nën tension, por jo e jashtëzakonshme.
Sipas tij, qyteti i Mitrovicës ka specifikat e veta dhe këtu situata mund të ndryshojë brenda një kohe shumë të shkurtër.
“Qyteti i Mitrovicës është më specifik për dallim nga qytetet tjera të vendit dhe situata mund të them se është e qetë, por nën tension. Këtu për një kohë shumë të shkurtër gjendja mund të ndryshojë. Përkundër kësaj, situata është nën kontroll të autoriteteve të rendit”, tha për KosovaPress, Dragaj.
Në anën tjetër, edhe zëvendës drejtori i Policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti, e ka përshkruar si të qetë dhe pa probleme situatën e përgjithshme në veri Mitrovicës.
“Situata e përgjithshme në veri është e qetë dhe pa probleme”, ka thënë shkurt Hoti.
—-
Hoti: Këtë vit presim 4 për qind rritje ekonomike
Pakoja e re fiskale e cila do të mundësojë lehtësira për bizneset, krijimi i Agjencisë të të hyrave, i cili i bashkon Doganën dhe Administratën Tatimore të Kosovës janë disa prej objektivave kryesore që Ministria e Financave ka për këtë vit.
Në një konferencë për media, ministri Avdullah Hoti, ka shpalosur të arriturat dhe synimet për këtë vit. Mision i pa mundur vitin që lamë pas ishte edhe mosarritja e të hyrave nga dividenta prej 15 milionë eurove nga Telekomi i Kosovës.
Hoti parasheh që ketë vit të ketë rritje ekonomike 4 për qind. Vitin që shkoi kishte rritje ekonomike solide.
“ Unë pres që gjatë këtij viti të tejkalojmë rritjen ekonomike prej 4 për qind. Kërkoj që të keni edhe pak durim derisa të konsolidojmë të gjitha të dhënat për vitin 2106. Të dimë të dhënat përfundimtare të 2016, dhe në bazë të saj do e shihini se si do të jenë rrjedhat gjatë vitit 2017. Por gjitha të dhënat preliminare tregojnë se ka pasur një rritje solide ekonomike gjatë vitit të kaluar”, tha Hoti.
Objektivë tjetër , sipas tij është edhe krijimi i Agjencisë të hyrave për tatime dhe dogana të Kosovës.
—-
Veseli garanton rrënimin e murit në veri gjatë muajit shkurt
Muri dhe trenat e Serbisë në veri të Kosovës nuk do të tolerohen. Serbia ka marrë fund një herë e përgjithmonë nga Kosova. Kështu tha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli pas mbledhjes së Kryesisë.
Kreu i Kuvendit, garantoi se brenda këtyre dy muajve muri i ndërtuar në veri do të rrëzohet, ngase është provokim i ndarjes.
“Përgjegjësinë për çdo veprim tonin, i cili do të ndodhë pas 31 janarit 2017, të jeni të sigurt që ka me ndodhë. Muri ka me u rrënuar, ka me marrë qeveria e Beogradit dhe ata të cilët janë nxitur që të ndërtojnë mure ndarëse në Kosovë…. Me lejoni të theksoj se jam shumë i preokupuar me çështjen e murit ashtu siç është i preokupuar kryeministri dhe presidenti”, tha Veseli.
Megjithatë, Veseli tha se Kosova ka interes të ketë marrëdhënie të mira bilaterale me Republikën e Serbisë, duke pasur shkëmbime tregtare dhe lëvizje të lirë të qytetarëve, por jo edhe trena të vizatuar me provokime.
E MARTË, 17 JANAR 2017
—-
Rakiq i çon selam Prishtinës: Muri nuk do të rrënohet, ROSU nuk guxon të vij më në veri
Kryetari i Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq, ka porositur nga veriu i këtij qyteti se muri në Mitrovicë nuk do të rrënohet.
Ai në një intervistë për Kosovapress, ka bërë të ditur se Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës nuk guxojnë të vijnë në veri, ndërsa ka ftuar bashkësinë ndërkombëtare të ndërhyjë në rast se Prishtina tenton që me forcë ta rrënojë murin.
“Pas ngjarjeve të fundit tensionet janë rritur, qytetarët janë të shqetësuar me arsye. Konsideroj se dikush ka dashur të shfrytëzoj këtë situatë për shkak të qëllimeve politike dhe unë vërtetë lus të gjitha palët të cilat bisedojnë në Bruksel që të ulin tensionet dhe prioritet i të gjitha prioriteteve duhet të jetë ruajtja e paqes në këto hapësira sepse nuk ka alternativë tjetër… Unë dua të përkujtoj të gjitha palët se revitalizimi i urës dhe zona për këmbësorë janë diçka për të cilën është arritur marrëveshje në Bruksel dhe unë mund t’ua lexoj njërën nga pikat që është nënshkruar nga të dy kryeministrat, e kjo është se ndërtimi i zonës për këmbësorë është përgjegjësi lokale, që nënkupton se komuna vendos se si do të duket dhe kur do të funksionalizohet…Muri nuk do të rrënohet, muri do të ridizajnohet, po e përsëris se rreth kësaj janë dakorduar të gjitha palët, do t ë thotë Prishtina, pushtetet lokale, Beogradi dhe Bashkimi Evropian…Lëvizja e qarkullimit të lirë është diçka për të cilën nuk duhet as diskutuar. Dua të them se Njësia Speciale ROSU nuk është dashur të vijnë në veri, sepse marrëveshja ka qenë pa marrëveshje me shkrim të NATO-s dhe përfaqësuesve politikë të serbëve të veriut, ROSU nuk guxon të vij në veri”, tha Rakiq.
Rakiq është shprehur kategorik kundër luftës, derisa ka ftuar mitrovicasit pa dallim që të jetojnë në paqe sikur kanë jetuar ndër vite.
—-
Hyseni: Policia bëri punë të shkëlqyer, urdhrat i jep Shpend Maxhuni jo unë
Ministri i Brendshëm Skënder Hyseni, para Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka raportuar për gjendjen e sigurisë në vend, duke shpjeguar më në detaje lidhur me operacionin policor të ndërmarrë ditë më parë, në funksion të zbatimit dhe kushtetutës, për ndaljen e hyrjes së trenit ilegal nga Beogradi në veri të vendit.
Ai tha se planet e policisë nuk janë bërë publike më herët, pasi që mund të ngjallnin dhe reagime të tjera.
“Planet e policisë nuk kanë mundur të bëhen publike dhe zbulohen paraprakisht. Sepse në raste të tilla dërgimi më herët i policisë atje do të nxisë atje do të ngjallte reagime tjera. Do të ipte mundësi të mobilizimit të gjithanshëm të ndryshëm, të forcave të ndryshme, strukturave individëve. Sepse kemi parasysh që në Jarinje dhe në atë pjesë ku ka qëndruar PK, ku pritej të hynte treni, ne e kishim një frikë shumë të madhe tash po flas si polic, nga një objekt i braktisur, tërësisht i errësuar. Pastaj ishte kohë dimri dhe ishte errësirë e plotë. Prandaj është mirë që ka përfunduar kështu siç ka përfunduar çdo gjë pa asnjë incident”, tha ai.
E MËRKURË, 18 JANAR 2017
—-
Mustafa: Qytetarët s’do të ndahen me mure, Haradinaj s’do të ekstradohet në Serbi
Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa , në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ka përçuar mesazhin e vendosmërisë së kësaj Qeverie, për të zbatuar plotësisht dhe pa asnjë mëdyshje ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë në vend.
Kryeiministri ftoi edhe Qeverinë e Serbisë, që të heq dorë nga gjuha kërcënuese, dhe këtë gjuhë ta zëvendësojë me gjuhën e dialogut dhe me gjuhën e bashkëpunimit.
“Provokimet si shtytja e serbëve kosovarë për t’u larguar nga integrimi në institucionet e Kosovës, muri i Mitrovicës, keqpërdorimi i institucioneve ndërkombëtare të sigurisë për të provokuar Kosovën dhe qytetarët e saj me fletarreste të paligjshme dhe të motivuara politikisht. Provokimet si ai me trenin e pa licencuar dhe me elemente nxitëse të urrejtjes etnike, nuk janë sjellje të konstruktivitetit nga ane Serbisë. Prandaj Qeveria jonë është e bindur se skenarët e tij jo vetëm që janë të parealizueshme por janë edhe anakronike, ashtu siç jemi të bindur se serbët kosovarë të ardhmen e tyre e kanë në Republikën e Kosovës dhe e kanë në institucione të Republikës së Kosovës. Prandaj dua të konkludoj se qytetarët e Kosovës, nuk do të ndahen me mure, por do të bashkohen me ura. Ramush Haradinaj, nuk do të ekstradohet në Serbi, por do të kthehet në Kosovë dhe trenat do të mund të hyjnë nga Serbia n ë Kosovë dhe nga Kosova në Serbi, duke respektuar në mënyrë të dyanshme rregullat e lëvizjes së mallrave dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve”, tha ai.
Në këtë mbledhje Mustafa përgëzoi të gjitha institucionet dhe organet e sigurisë për punën e bërë, ditën në të cilën ishte paralajmëruar arritja e trenit nga Beogradi në Mitrovicë.
Ai në emër të Qeverisë falënderoi qytetarët për shkallën e lartë të përgjegjësisë qytetare, me të cilën kanë përballuar provokimet nga Serbia.
—-
Studentët: Kisha duhet të funksionojë vetëm si muze
Disa studentë nga organizata “Demokracia Studentore” ishin mbledhur të mërkurën në kampusin e Universitetit të Prishtinës, përkatësisht pranë kishës ortodokse serbe, për të realizuar një aksion simbolik përmes të cilit ekspozuan fotografi të krimeve dhe masakrave të luftës, të cilat janë kryer nga kriminelët serbë gjatë luftës në Kosovë.
Megjithatë, studentët hasën në rezistencë nga Policia e Kosovës pas tentimit që ato fotografi të masakrave t’i vendosin në muret e objektit kishtar.
Mexhid Ramusa, kryetar i organizatës Demokracia Studentore, tha se është shqetësuese se si u lejuan pelegrinët serbë të mbajnë liturgji në përvjetorin e tetëmbëdhjetë të masakrës së Reçakut, në kishën e ndërtuar me dhunë nga kasapi i Ballkanit, Slobodan Millosheviq.
Ai theksoi se kjo kishë duhet të funksionojë vetëm si muze për krimet e kryera nga serbët gjatë luftës.
“Ajo çka është më shqetësuese për në është se pelegrinët serbë në përvjetorin e 18-të të masakrave të Reçakut vijnë dhe mbajnë liturgji në kishën e ndërtuar me dhunë nga kasapi i Ballkanit Slobodan Millosheviq dhe na fyejnë popullin dhe viktimat e pafajshme të masakruara në Kosovë dhe Qeveria po hesht për këtë, nëse edhe njëherë do të mbahet çfarëdo ceremonie në këtë vend ne studentët do të veprojnë dhe organizojmë protesta të dhunshme. Kjo kishë do të funksionoj si muze për krimet e luftës të kryera nga kriminelët serbë, i bëjmë thirrje edhe gjykatës së Francës që t’i shikon kriminelët e Serbisë, të gjithë janë të lirë dhe këto fotografi ju dëshmojnë krimet në vendin e ngjarjes”, tha Ramusa.
—-
Molliqaj: Astrit Dehari u mbajt në burg pa asnjë fakt
Dardan Molliqaj, sekretari organizativ i VV-së, në një konferencë për media ka paraqitur disa fakte, të cilat sipas tij dëshmojnë që tashmë i ndjeri Astrit Dehari, është mbajtur në burg pa asnjë fakt.
Ai tha se akuza ndaj aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, është një tentim për një montim politik që tashmë ka dështuar.
Përveç Petrit Ademit të cilin e kanë liruar dhe kanë pushuar dyshimet mbi vepër, ne i kemi edhe katër aktivistë tjerë që po mbahen për shkak të disa spekulimeve të dy dëshmitarëve jokredibil. Skandali më i madh është këtu, Astrit Dehari ka vdekur dhe sot nuk ekziston asnjë dëshmi e vetme, kurrfarë, as njëlloj as e mashtruar, as e montuar që Astrit Dehari ka qenë pjesë e kësaj. Me fajin e Policisë së Kosovës dhe me Prokurorinë e Kosovës për shkak se ai është shok me Atdheun dhe Egzonin është arrestuar”, tha ai.
E ENJTE, 19 JANAR 2017
—-
Deputetët shumë kritika për arsimin në Kosovë
Ministri i Arsimit Arsim Bajrami në interpelancën në Kuvendin e Kosovës, e cila u mbajt të enjten sipas kërkesës së deputetit Ismajl Kurteshi, i mbështetur edhe nga 15 deputetë nënshkrues, në lidhje arsimin në Kosovës, tha se arsimi mbetet prioritet kombëtar.
Ai prezantoi një program kombëtar për edukim, duke pohuar se janë ndërmarrë hapa konkret me qëllim që gjendja e cilësisë në arsim të përmirësohet.
Ndërkaq Ismail Kurteshi i cili kishte paraqitur kërkesë]n për interpelancë tha se zhdukja e institucionit të përgjegjësisë dhe vlerësimit real, ka ndikuar në rënien e cilësisë në arsim.
E Albin Kurti theksoi se rezultatet e PISA-s treguan se Kosova është në një gjendje alarmante, sa i përket arsimit.
“Qartazi Qeveria në vitet e fundit dhe në përgjithësi pas lufte investimin në arsim e sheh shumë më tepër investim në pagat e rritura, në fushata elektorale për arsimtarët se sa në aftësinë e mësimdhënies që do të duhej të përkthehet edhe në mësimxënie”, tha Kurti.
E deputetja Melihate Tërmkolli, pati kritika të ashpra sa i përket fjalimit të mbajtur nga ministri Arsim Bajrami. Tërmkolli tha se ministri po i trajton ata si injorantë, me fjalimin e mbajtur para deputetëve.
“ E dëgjuam një fjalë kogja të gjatë nga ana e ministrit. Nuk ke as ligjërate, se të ish kanë ligjërate kishim mësu diçka. Por ke njëfarë demagogjie, pa formë e krejt saj çka tha. Sepse nuk tha kurgja lidhur me temën, për të cilën ne jemi thirr sot këtu me diskutu dhe me gjet një zgjidhje… Problemi mendoj se është tek politika arsimore në Kosovë, por dhe në politika në përgjithësi. Sepse politika arsimore është rrudhë, është reduktu në menaxhim teknik të arsimit dhe jo në politikë arsimore. Tha dikush këtu që nxënësit kanë treguar rezultate të dobëta në PISA. Absolutisht jo. Mendoj që rezultat të dobët ka treguar politika arsimore në Kosovë, jo nxënësit tanë. Nëse dikush është më i pafajshmi në këtë rezultat, janë pikërisht nxënësit tanë. Në fakt ministri e tha se nëse sot, mbas dy tre muajve që kanë dalë këto rezultate, nëse sot bÍ het një test tjetër, atëherë tha se rezultati do të dal më i mirë. Nuk e di ministri a po na mënon aq injorantë këtu krejt deputetët, apo krejt qytetarët e Kosovës. Kaq injorant jemi na mos me dit çka paska ndodh këta dy tre muaj”, tha ajo.
Përderisa Rezoluta për arsimin nuk pati kuorum të mjaftueshme që të kalojë në Kuvend. Ismajl Kurteshi, iniciues i interpelancës për Arsim, ka lexuar tekstin e rezolutës duke thënë se janë se janë pajtuar që ta procedojnë këtë Rezolutë me 12 pika, që ka një koordinim nga të gjitha partitë politike.
Këto janë :Arsimi të shpallet interes nacional dhe të rritet buxheti për këtë sektor, të rritet llogaridhënia, Qeveria e Kosovës të krijojë një fond të veçantë për sigurimin e burimeve njerëzore dhe infrastrukturës së nevojshme. Ministria e Arsimit të krijojë kushte për organizmin e studimeve në aspektin falkutativ. Të rishikohet dhe amandamentohet fusha ligjore në fushën e arsimit.
Ministri i Arsimit të raportojë për çdo tre muaj në Kuvend për gjendjen në arsim. Këto janë pikat e propozuara nga VV dhe harmonizuara nga PDK, LDK, AAK dhe të tjera.
—-
Hyseni: 260 mijë armë pa leje janë në duar të qytetarëve të Kosovës
Deputetët e Kuvendit të Kosovës shqyrtuan projektligjin për legalizimin e armëve dhe dorëzimin e armëve të vogla dhe të lehta, municionit dhe mjeteve eksplozive.
Ministri i MPB-së Skënder Hyseni i cili po prezanton këtë projektligj njoftoi se 260 mijë armë të paligjshme janë në duar të personave civil të qytetarëve të Kosovës, ngase ka qenë 310-340 mijë.
Ai tha se çdo i shtati qytetar i Kosovës posedon armë pa leje, ndërsa vetëm brenda një viti policia konfiskon 1 mijë 200 armë. Është votuar në parim Projektligji për Armët . për këtë projektligj pati pajtueshmëri nga të gjitha grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës.
—-
Ymeri: Asnjëri prej këtyre 6 aktivistëve nuk kanë qenë as afër institucioneve
Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, në debatin që u zhvillua në Kuvendin e Kosovës për arrestimin e aktivistëve të Vetëvendosjes, tha se në këtë debat që është përqendruar mjaft qartë, kemi ndërhyrje të deputeteve tjerë dhe ministrave për rastet e tyre personale.
“Na thanë pse po paragjykoni, nuk është paragjykim fare, është fakt, se njësitet e policisë janë future dhunshëm në zyrat e LVV-së me rreth 1 mijë policë, është fakt se kanë përdorur plumba gome. Andaj, nuk janë paragjykime, janë fakte. Është fakte se janë arrestuar 6 aktivistë të LVV-së në 5 të mëngjesit, se gjoja kanë kryer një sulm terrorist, dhe nuk ka asnjë provë të vetme prokuroria që lidh këta 6 të rinj. Është po ashtu fakt se asnjëri prej këtyre 6 aktivistëve nuk kanë qenë as afër institucioneve kur janë sulmuar institucionet”, tha Ymeri.
Ai shtoi se është fakt se Astrit Dehari është mbajtur në burg pa asnjë argument, dhe askush nuk e di pse ka qenë në burg.
Ndërkohë, deri sa mbante fjalimin e saj deputetja e VV-së Albulena Haxhiu, dy deputetë të LVV-së, mbajtën një pano para deputeteve me fotografi të zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës.
Në pano përfshiheshin ministri i MPB-së, Skender Hysnei, drejtori i policisë Shpend Maxhuni, drejtori i RTK-së, Mentor Shala, Ridvan Berisha, ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha, ish prokurori Syle Hoxha, e të tjerë.
—-
Kurti kërcënon me gaz lotsjellës
Deputeti Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në debatin që u zhvillua në Kuvendin e Kosovës për arrestimin e aktivistëve të LVV-së, tha se ndaj Vetëvendosjes janë përdorur forcat policore, policia më elite FIT.
“Mbaj mend si më arrestuan mua, me Njësi antiterror dhe më dërguan në burgun e sigurisë së lartë në Gërdoc të Llapit dhe më liruan për tri javë e gjysmë. Si është e mundur kjo? Vetëm pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për asociacionin më liruan, menjëherë. Andaj, si mos të jetë kjo drejtësi e seleksionuar. Sulmet dhe vrasja e heroit Enver Zymberi, nuk janë quajtur sulme terroriste. Dy herë në dy dhomat e dëshmive në polici ka pasur vjedhje, dhe asnjë herë nuk janë zbuluar rastet dhe gjykuar”, tha Kurti.
Ai po ashtu pyeti se përse, nuk ka gaz lotsjellës sot këtu në Kuvend? Sepse ka vdekur “zajednica”. “Ne nuk hedhim gaz lotsjellës pa e pru ju këtu zajednicën dhe demarkacionin”, tha Kurti, raporton KosovaPress.
E PREMTE, 20 JANAR 2017
—-
Vuçiq nuk e mohon shkarkimin e Gjuriqit
Lajmi ekskluziv i publikuar dje në KosovaPress, rreth shkarkimit të Marko Gjuriqit nga kryeministri serb, Aleksander Vuçiq, ka bërë zhurmë të madhe në opinionin serb.
(Lajmi i publikar dje nga KosovaPress: http://www.kosovapress.com/sq/… )
Vetë kryeministri serb Vuçiq e ka komentuar lajmin duke thënë me ironi se i përgëzon mediat në Kosovë për këto informacione të gjetura.Në pyetjen e gazetarit të B92, nga Davosi, se nëse është e vërtetë ajo çka ka shkruar KosovaPress, Vuçiq nuk e ka mohuar e as nuk e ka pohuar një gjë të tillë.
“Mirë nëse ata e dinë. I përgëzoj për këtë. E shoh se për gjithçka kanë filluar të vendosin, e le të vendosin edhe për çështjet e kuadrove në Qeverinë e Serbisë”, ka thënë Vuçiq, duke mos e mohuar lajmin e dhënë nga KosovaPress për shkarkimin e Marko Gjuriqit, udhëheqës i së ashtuquajturës ‘ Zyra për Kosovë e Metohi”.
—–
Shqyrtohet një datë e re për inaugurimin e urës në Mitrovicë
Inaugurimi i urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë i paraparë për sot është shtyrë, ndërsa data për një gjë të tillë do të bëhet e ditur pas arritjes së një marrëveshje të përbashkët mes Prishtinës dhe Beogradit rreth kësaj çështje.
Këtë e ka bërë të ditur për KosovaPress zëdhënësja për politikë të jashtme e BE-së, Maja Kocijançiç. Sipas saj, arsyeja e vonesës për një gjë të tillë ka ndodhur për shkak se punimet në renovimin e urës dhe të rrugës “Mbreti Petër” në veri nuk kanë përfunduar akoma.
“Ne jemi duke vazhduar diskutimet me të dyja palët për të gjetur zgjidhje të pranueshme për të gjitha çështjet në lidhje me punimet në urën e Mitrovicës, si dhe në rrugën ‘Mbreti Petër’, duke përfshirë edhe një datë të re për rihapje”, ka thënë për KosovaPress Kocijançiç.
Ndryshe, punimet në urën e Ibrit, e cila ndan qytetin në dy pjesë, i ka financuar Unioni Evropian me 1.2 milion euro.
—–
Provokimet e Serbisë kundërshtohen të shtunën me protestë
Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në një konferencë për media njoftuan për detajet e protestës e cila do të mbahet nesër, në mbështetje të ish-komandantit dhe liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, Hysni Gucati tha se të shtunën do të organizohet një protestë për mbrojtjen e vlerave të luftës dhe në mbrojtje të ish Gjeneralit, Ramush Haradinaj.
“Kjo protestë ka një karakter për mbrojtjen e vlerave të luftës edhe mbrojtjen e Gjeneralit”, tha Gucati.
Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, tha se me kërkimin e dorëzimit të Ramush Haradinajt, Serbia preku gjakun e dëshmorëve. Sipas tij, pjesëmarrjen në këtë protestë e kanë obligim gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës sepse duhet kundërshtuar fuqishëm provokimet nga Serbia.
“Duke kërkuar arrestimin dhe dorëzimin e Ramush Haradinajt, Serbia ka prekur në gjakun e derdhur për lirinë e kësaj pjese të atdheut, e them këtë sepse Ramush Haradinaj nuk është një emër i zakonshëm, ai është hero i gjallë i Kosovës, ai është Gjeneral i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai është i një familje që ka dhënë tre dëshmorë të kombit, pra, Ramush Haradinaj është vetë Kosova. Obligim kanë gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të dalin në mbështetje të Ramush Haradinajt dhe të kundërshtohet fuqishëm nesër në protestën tonë, gjithë ato provokime që janë të shumta nga Serbia”, tha Jashari.
Protesta e cila mbahet të shtunën nga ora 11:00, do të zgjasë një orë dhe mbahet në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.