Ambasada e Kroacisë në Prishtinë, sonte ka shënuar 25-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kroacisë dhe 9-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.
Në këtë event të ftuar ishin përfaqësues nga ambasada të ndryshme të huaja në Kosovë dhe autoritetet të larta të vendit.
Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviç ka thënë se me këtë datë Kroacia feston 9-vjetorin e vënies së marrëdhënieve bilaterale me Kosovën.
“Ne po shënojmë 25-vjetorin e njohjes së shpalljes së pavarësisë. Për pak ditë ne do të shënojmë 9-vjetorin e vënies së marrëdhënieve bilaterale diplomatike Kosovë-Kroaci. Ajo pse ne po e shënojmë këtë vit, është kooperimi unik ndërmjet muzikantëve kroatë dhe atyre të Kosovës. Petrit Çeku është qytetar juaji luan me kitare dhe Monika Leskovar. Ky është një lloj unik i kooperimit. Petrit Çeku studion në Kroaci dhe është i lumtur që këtë mundësi këtë vit”, ka thënë ajo.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se Kosova dhe Kroacia kanë historinë e njëjtë, ku sipas tij Kroacia dhe Kosova janë gjetur bashkë në shumë aspirata.
“Kosova me Kroacinë kanë histori të përbashkëta. Pasi një jemi gjetur së bashku në anën e njëjte të angazhimit të sakrifikimit për të realizuar aspiratën për liri, barazi dhe drejtësi në mes të të gjithë popujve. Jemi bashkë në të njëjtën anë edhe sot për t’u angazhuar për thellim të bashkëpunimit dhe të miqësisë tonë. Miqësia jonë tradicionale, por edhe dëshira dhe gatishmëria për të thelluar edhe më tutje bashkëpunimin në mes të dy shteteve tona. Si president i vendit, ndër iniciativat e para që kamë ndërmarrë ka qenë edhe ajo për formën elektorale që ndër të tjera parasheh edhe një ulëse në Kuvendin e Kosovës për komunitetin kroat dhe atë malazezë. Më qëllim që të fuqizohen politikisht këto dy komunitete. Kosova dhe Kroacia janë bashkë edhe sot edhe në të ardhmen. Kosova synon të jetë në të njëjtin vend me Kroacinë në NATO dhe BE”, tha Thaçi.
Pas fjalimit të Presidentit Thaçi dhe ambasadores së Kroacisë në Kosovë Marija Kapitanoviç, është mbajtur një koncert nga Monika Leskovar, violimçelo dhe Petrit Çeku, me gitare./KP