Aktuale

Kritikohet Qeveria për mosreagim për deklaratën e Jabllanovic në Koshare

Në pozitën e sekretarit shtetëror në Ministrinë për Punë në Qeverinë e Serbisë, Aleksandër Jabllanovic, të martën, ka vënë kurorë në karakollin e Koshares, raporton KTV.

Madje, ai ka thënë se “në Koshare heronjtë më të mëdhenj të popullit dhe shtetit serb e kanë mbrojtur vendin e tyre nga agresori NATO plot 82 ditë”.

Ky veprim i Jabllanovicit në territorin e Kosovës nuk është penguar fare nga ana e Qeverisë së Kosovës. Derisa nuk e kanë thënë asnjë fjalë për këtë vizitë të Jabllanovicit.

E ish-komandanti Rrustem Berisha ka deklaruar se Kosharja është vendi ku u zhduk integriteti territorial i Serbisë, ishte vendi ku u zhduk edhe fizikisht dhe përfundimisht “sovraniteti” i Serbisë në Kosovë. Ndërkaq, analistët politikë kanë thënë se ekzekutivi i vendit po tregohet i dobët karshi politikanëve serbë.

Imer Mushkolaj ka deklaruar se liderët e vendit tonë asnjëherë nuk ia kanë bërë respektin e merituar sakrificës së dëshmorëve të rënë në Koshare.

Kurse Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL, ka thënë se kryeministri Isa Mustafa, edhe për këtë çështje po i mban duart në xhepa.

Për veprimin e ish-ministrit të kabinetit të Mustafës, ka reaguar edhe KMDLNJ’ja, duke e quajtur ultra shovinist Jabllanovicin.

Në Betejën e Koshares, në vitin 1999, mbeten të vrarë qindra ushtarë e policë serbë nga forcat e UÇK’së.