Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Buxhetin e Kosovës për vitin 2017, i cili u diskutua në seancën e Kuvendit, nuk kaloi pa kritika të ashpra nga partitë opozitare, por dhe ato në pozitë.
Por ishte kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, i cili kur mori fjalën tha se buxheti i vitit 2017 siguron zhvillim, është refleksion i reformave dhe i përmirësimit të ambientit të bërit biznes. Ai tha se përmes këtij buxheti, i cili për herë të parë është prej 2 miliardë eurosh, Qeveria synon ta rris investimin në fushën kapitale, të cilat do të ndikojnë në rritjen ekonomike.
Ndërsa tha se çështja e zhvillimit ekonomik dhe krijimi i vendeve të punës, mbetet prioritet i kësaj Qeverie, duke u shprehur i bindur qe ky buxhet arrin objektivat në shumë fusha.
“Si kryeministër i vendit vlerësoj që kemi arritur që Kosovës në vitin 2017, t’i ofrojmë një buxhet i cili siguron zhvillim dhe i cili reflekton në mënyrë të drejtpërdrejtë programin e koalicionit qeveritar, si përkushtim tonin të përbashkët për zhvillimin e vendit, rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të reja të punës, për mirëqenien sociale dhe ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit. Ky projekligj po ashtu është rezultat i një bashkërenditje me FMN-në, por dhe me institucionet tjera ndërkombëtare, në mënyrë që të krijojmë kushte të qendrueshme buxhetore dhe fiskale. Të sigurojmë rritje ekonomike në të ardhmen. Të shfrytëzojmë fondet që na i akordojnë institucionet financiare ndërkombëtare dhe të fonde do të përdoren për krijimin e një infrastrukture, që mundëson zhvillim ekonomik. Unë vlerësoj se puna dy vjeçare e këtij koalicioni, ka dhënë rezultate konkrete në përmirà «simin e aktivitetit ekonomik në vend. Në vitin e kaluar kemi pasur një rritje ekonomike prej 4.1 për qind. Këtë vit presim që rritja ekonomike të jetë më e lartë. E po ashtu planifikojmë rritje dhe me të lartë ekonomike në vititn 2017”, tha ai.
Edhe ministri i Financave Avdullah Hoti, i cili para deputetëve prezantoi Projektligjin e buxhetit për 2017, tha ky buxhet adreson prioritetet zhvillimore, programin e reformave ekonomike dhe strategji tjera sektoriale.
“Parimet mbi të cilat është ndërtuar ky buxhet, përfshinë ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale, sigurinë e financimit për projektet që janë në vijim e sipër. Ruajtjen e një rezerve fiskale, që është në nivele të mjaftueshme, rritjen e shpenzimeve kapitale si zëri më produktiv buxhetor dhe eliminimin e barrierave fiskale. Ky buxhet ka pajtueshmërinë e plotë të FMN-së dhe se jemi në program me këtë fond deri në maj të vitit të ardhshëm dhe duhet të respektojmë dakordimin dhe kornizën, sa i përket të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore.. Ne kemi marrë parasysh trendet e rritjes ekonomike të viteve të fundit, që është një kapërcim i madh i dy viteve të fundit me një normë ekonomike rreth 4 për qind, që është më e larta në rajon. Parashikimet tona janë që edhe në vitin 2017 do të ketë një normë së paku 4.4 për qind”, tha ai.
Por përveç opozitës, nuk munguan kritikat as nga partitë në pushtet. Ishte Safete Hadërgjonaj nga PDK e cila kishte kritika për buxhetin, për të cilin tha se lë shumë për të dëshiruar dhe i cili nuk dallon nga ai i viteve të mëhershme. Hadergjonaj tha se buxheti nuk është mbi 2 miliardë siç po thuhet , por është 1 miliard e 725 milionë euro.
“Nëse shohim brendinë e këtij buxheti, lë shumë për të dëshiruar sa i përket materializimit të prioriteteve të Qeverisë, harmonizimit të strategjive kombëtare për zhvillim, programin e reformave ekonomike mekanizimin për Stabilizim Asociim si dhe mos harmonizimin me strategjitë sektoriale. Si dhe mbetet çështje parësore për Qeverinë në të ardhmen të bëjë me shumë në këtë drejtim. Projekt buxheti për vitin 2017 shumë pak ndryshon nga ai i viteve të mëparshme. Nëse analizohen shifrat në brendinë e këtij projekti krijon përshtypjen se ky buxhet është hartuar sipas një praktike rutinë dhe shum] kode buxhetore, janë përshkruar nga buxheti i vitit të kaluar. Sipas planifikimit të këtij buxheti, diferenca në mes të hyrave dhe të dalurave është mbuluar me borxhe gjë që nuk ka ndodhur në vitet e kaluara…. Dëshira jonë është të themi që kemi buxhet 3,4, 5 miliardë euro, por mundësitë dhe realiteti është ndryshe. Në fakt buxheti është 1 miliard e 725 milionë euro. Që është rritur në krahasim me vitin 2016 për 91 milionë euro, vetëm 5.5 për qind më shumë krahasuar me vitin 2016”, tha ajo.
E Visar Ymeri deputet nga VV, tha se ky buxhet nuk meriton të kalohet dhe se Qeveria po mashtron me numra.
“Këtu ka hapësirë për të mashtruar me numra dhe këtë hapësirë vazhdimisht Qeveria e përdor. Në fakt e dëgjova më vëmendje dhe qëndrimin e GP të PDK-së, i cili dorën në zemër tha se ky buxhet nuk vlen pesë pare. Praktikisht qëndrimi i GP i shprehur nga z. Hadërgjonaj tha se letra që është shtyp buxheti është më e vlefshme, se të dhënat dhe përmbajtja e këtij buxheti dhe pastaj tha se do ta votojnë. Mendoj që kjo është përtej hipokrizisë. Neve na ka ardhur një buxhet i cili për herë të parë thuhet se e kalon shifrën prej 2 miliardëve si shpenzime dhe shikuar nga aspekti i këtyre shifrave dhe nga ajo që u tha deri më tash këtu, kjo do të duhej të ishte një arritje vërtetë e madhe dhe natyrisht po të kishte qenë një arritje e madhe, do të duhej t’i gëzohemi të gjithë. Por kur shikohet më hollësisht se si kjo Qeveri po synon ta arrijë këtë rritje, t’i financoj shpenzimet prej 2 miliard eu ro atëherë kuptohet që ky buxhet vërtetë nuk meriton të kalohet, e as kjo Qeveri të përgëzohet. Vazhdimi i kësaj situate në aspektin ekonomik, dhe mirëqenies së qytetarëve, nuk po e bënë Kosovën vend të jetueshëm. Por po e bënë Kosovën një vend, prej të cilit interesimi për të ikur po rritet më shumë. Sipas z Mustafa, këta qytetar që po e lëshojnë Kosovën po ikin prej zhvillimit dhe mirëqenies në BE, ku paska stagnim dhe rrugë të mjerimit. Pra prapë po e huq”, tha ai.
Ndërkaq Pal Lekaj, deputet nga AAK tha se ky është buxhet i cili varfëron qytetarët e vendit.
“Sa i përket asaj që dëgjova nga z. Gaxherri më bëni përshtypje që Kosova është parajsë. Por kur e dëgjova zonjën Hadërgjonaj thash me të vërtetë këtu është mjerim dhe ky buxhet nuk di si do të votohet. E tani qytetarët kujt t’i besojnë. Prandaj e kemi humbur besimin tek qytetarët. Sepse kur të është në pyetje buxheti, nuk i takon një partie, por u takon qytetarëve. Të jeni të bindur koalicion që e keni humbur besimin tek qytetarët. Me këtë buxhet jo vetëm që pasurohen qytetarët por varfërohen. Qytetarë të Kosovës, media dhe ju koleg deputetë, me këto 50 faqe që kanë shkarravitur me shkronja dhe numra, nuk bëhet fjalë për një dokument të rëndësishëm. Bëhet fjalë vetëm për letra propagande e mashtrime, që qytetarët kanë dy vjet që i dëgjojnë dhe i dijnë se cila është jeta e vërtetë e tyre. Varfëri e papunësi në rritje, fatura të energjisë me të larta, shporta ushqimore më e sht renjt e rrjedhimisht më e varfër”, tha Lekaj.
Ndërkaq Enver Hoti nga Nisma për Kosovën tha se buxheti është ndarë në mënyrë të padrejtë nëpër komuna, duke u dënuar kështu qytetarët e zonave të caktuara.
“Ky buxhet do të sjell vetëm dështim, varfëri dhe mirëqenie jo të mirë për qytetarët e vendit….Ndarja jo e drejtë për disa komuna dhe zona është e papranueshme. Dhe si pasojë disa komuna përfitojnë dukshëm më shumë investime dhe në disproporcion, krahasuar me numrin e popullsisë. Kjo është e padrejtë dhe është një dënim i qytetarëve të disa zonave”, tha ai.
Por nuk munguan kritikat e akuzat në fillim të seancës. ishte Visar Ymeri i cili akuzoi krye parlamentarin Kadri Veseli, se nuk po di t’i drejtojë seancat.
“Edhe mënyrën si e drejtuar deri tash seancën është absolutisht e gabuar dhe nuk e di vërtetë se kur do të mësohesh ma me drejtu një seancë. Se nuk është kushedi çfarë dije”, tha ai.
E Veseli iu përgjigj Ymerit, duke i thënë se i është bërë mësues.
“Zenun ishalla s’më mëson edhe ti. Arben veç ty të kam pas mësues. Mu ka ba tash edhe Visari mësues. Ju jeni shumë të mençur po populli s’po e din”, tha Veseli.
E reagim ka ngjallur dhe marrja e fjalës nga deputeti i listës Serbe, Slavko Simiq, i cili pasi që u hoqën nga rendi ditës, deklarimet doli në foltore.
E në lidhje me këtë reaguan deputetët e opozitës. Teuta Haxhiu nga AAK tha nuk duhet lejuar fjalime të tilla nga deputetët e listës serbe që trupin e kanë në Kosovë por mendjen dhe politikat e Beogradit.
“Ju lejuat pak më parë që të marr fjalën një deputet i republikës së Kosovës, sado që rupin e ka brenda republikës së Kosovës, konkretisht në Kuvendin e Kosovës, por mendjen dhe politikat janë nga Beogradi. Këtu në foltoren e Kuvendit pra para deputeteve para gjithë qeverisë tha se ne kemi ardhur këtu se na ka dërgu Vuçiçi. Kush është Vuçiçi këtu. Këtu është republika e Kosovës. ju deputet të listës serbe, sado që keni mbet tash 5 deputet duhet ta dini jeni brenda republikës së Kosovës. nëse doni të jenë në Beograd, shkoni atje atje konkurroni për deputet”, tha ajo.
E pas fjalimit të Haxhiu reagoi krye parlamentari Veseli, i cili tha se me deklarime të tilla, nuk i ndihmojmë vendit.
“Me pas kanë në shekullin e XIX e kishim shpallë edhe njëherë pavarësinë. Më mirë me mujt qetë dhe mos me shku në ekstreme të tilla. Sepse s’jemi tu i ndihmu institucioneve të Kosovës. mundemi me fol me fjalë, por veç po e dëmtojmë këtë vend”, tha ai.
Ndryshe me propozim të shefit të GP të LDK-së Ismet Beqiri, Kuvendi mori vendim që Projektligji për buxhetin 2017 të bëhet me procedurë të përshpejtuar dhe të votohet sot./KP