Aktuale

Kritika dhe heshtje para debatit së Demarkacionit, mungon Atifete Jahjaga

Pas shumë kritikave dhe tensioneve nesër pritet të mbahet debati nëse duhet të miratohet marrëveshja e demarkacionit midis Kosovës dhe Malit të Zi. Përderisa aktorët kryesorë politikë nuk ngurrojnë të flasin për pro ose kundër miratimit, personazhe të tjerë preferojnë të heshtin ose për shkak të angazhimeve nuk do të jenë në këtë debat. shkruan gazeta Express.

Mungesë e rëndësishme në këtë debat pritet të jetë edhe Ish-Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga. Burime të sigurta për Express njoftuan se Atifete Jahjaga ndodhet në Amerikë dhe nuk mund të vijë deri në fund të muajit në Kosovë. Kujtojmë se ishte Ish- Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila nënshkroi vendimin për themelimin e komisionit ad hoc të ekspertëve ndërkombëtarë, që bënë vlerësimin për procesin e demarkacionit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.

Edhe një ndër deputetët që nënshkruan për organizimin e debatit të nesërm për demarkacionin, Vjosa Osmani tha për Gazetën Express që edhe pse nuk morën të gjithë materialin që kërkuan shpreson të zhvillohet një debat i mirëfilltë profesional.

Ndërsa moderatori i kësaj tryeze Baton Haxhiu në një bisedë me Express preferoi të mos e komentonte debatin e nesërm që të mos krijohej ndonjë keqkuptim nga palët e interesuara.

Por në anën tjetër partitë e opozitës vazhdojnë të jenë të palëkundura kundër ratifikimit të kufirit me Malin e Zi, shkruan Express.

Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Muharrem Nitaj, më herët ka theksuar për Gazetën Express se deputetët e kësaj partie do të jenë të gjithë pjesë e debatit, duke përfshirë edhe kryetarin e partisë Ramush Haradinaj dhe se nuk do të jetë problem nëse merr pjesë edhe Kryetari i Komisionit për Demarkacionin me Malin e Zi, Murat Meha. Shefi i grupit parlamentar të AAK’së, Pal Lekaj ka thënë për TV Dukagjinin se AAK do t’i bashkohet protestave të dhunshme nëse do të ratifikohet demarkacioni.

Ndërsa Vetëvendosje edhe pse do të marrë pjesë në debat ka paralajmëruar bllokim nëse kjo marrëveshje dërgohet në Kuvendin e Kosovës.

Por më aktiv për këtë temë ka qenë Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili shpesh herë ka bërë thirrje të miratohet kjo marrëveshje në të kundërt vihet në rrezik liberalizimi i vizave me Bashkimin Evropian (BE).

Kurse Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi edhe pse jo aktiv në publik ditët e fundit zhvilloi një vizitë surprizë në Malin e Zi, por nuk u publikua asnjë detaj për arsyen e kësaj vizitë. Gjithashtu Thaçi përsëri bëri thirrje për miratim të marrëveshjes duke theksuar “Çështja e demarkacionit si problem nuk ekziston. Përcaktimi i kufijve është një nga kriteret e shtetësisë dhe është çështje e rëndësisë së veçantë për integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit tonë, Republikës së Kosovës. Republika e Kosovës duhet të përmbush këtë kriter dhe të bëjë përkufizim të qartë të territoreve të saj me të gjitha vendet me të cilat kufizohet.”

Nesër debati pritet të fillojë në orën 10:00 në sallën alternativë të Kuvendit së Kosovës. /GazetaExpress/.