Arsim & Kulturë

Krimet e luftës në Kosovë pasqyrohen në tre libra të rinj

Në Bibliotekën Kombëtare ‘Pjetër Bogdani’, është bërë promovimi i tri monografive të Institutit për Hulumtime të Krimeve të Luftës, ne të cilat paraqiten krimet e tmerrshme, që Serbia ka kryer gjatë luftës në Kosovë.

Ismet Salihu, nga Instituti për Hulumtime të krimeve të luftës,  tha se promovimi i librave, që nxjerrin në pah krimet që Serbia bëri ndaj popullit shqiptar, shërbejnë për të ruajtur kujtesën për krimet e bëra nga okupatori serb dhe janë motiv,  që të çmohet liria dhe pavarësia e vendit.

 

“Çdo promovim i librit është ngjarje e rëndësishme për vetëdijen, kulturën dhe shkencën e një kombi dhe të mbarë njerëzimit. Por promovimi i librave me të cilët nxirret në pah, ndriçohen krimet e një pushtuesi çfarë ishte regjimi i Serbisë ndaj popullit shqiptar, që luftoi për lirinë e Kosovës, kanë rëndësi të veçantë. Këto tri libra të botuara dhe librat tjera që do të botohen në të ardhmen, kanë rëndësi të madhe, ngase gjeneratat e së tashmes e sidomos të së ardhmes, u bëhet me dije se çfarë sakrifica të shumta dhe sublime janë bërë për çlirimin e Kosovës. Me këto libra ruhet edhe kujtesa për këto krime të kryera nga okupatori dhe njëherit shërbejnë si motiv dhe ideal,  që të çmohet dhe të ruhet liria dhe pavarësia e Kosovës”, tha Salihu.

Edhe zëvendësministri i Drejtësisë, Munir Basha, tha se Qeveria e Kosovës e ndërgjegjshme për këto viktima, me vetëdije të plotë themeloi Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës. Basha tha se promovimi i librave që vënë në pah gjenocidin e shtetit serb,  mbi popullin shqiptar është i një rëndësie të veçantë dhe se me këto libra ruhet edhe kujtesa, për të kaluarën e popullit të Kosovës.

 

“Ministria e Drejtësisë është e vetëdijshme që duhet të rritet angazhimi për dokumentimin dhe zbardhjen e krimeve të luftës dhe dëmeve të luftës dhe të bëhen përgatitjet e nevojshme  për ngritjen e padisë kundër Serbisë për gjenocid. Ministria e drejtësisë do të shfrytëzoj të gjithë mekanizmat tjerë ligjor si civil ashtu edhe penal për të arritur, tek dënimi i atyre që janë fajtor për krimet e luftës dhe për të arritur deri tek kompenzimi i dëmeve, që i është shkaktuar Kosovës”, tha ai.

Ndërkaq ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi, tha se është një aktivitet i një përmase jo të zakonshme, që sjell në mendje gjithë shtresat e popullit të Kosovës, ku paraqitet e gjithë ngjarja që ka ndodhur me popullin e pafajshëm të Kosovës.

 

“Është një aktivitet i një përmase jo të zakonshme, që organizohet dhe sjell në mendje, gjithë shtresat e popullsisë së Kosovës, për krimet monstruoze që janë bërë në Kosovë…Fatkeqësisht ende nuk është e saktë një shifër për të treguar për masat tragjike, mizore të makinës serbe ndaj popullit të pafajshëm të Kosovës. Këto tre libra bien edhe një dimension shumë interesant, dëmet që i kanë kushtuar trashëgimisë kulturore të kombit shqiptar, shtëpi, vatra kulture, objekte kulti të shfarosura, dokumentacione të djegura ,të grisura si e si për të humbur memorie historike të popullit të Kosovës. Dhe është një detyrë e rëndësishme e Institutit, që kjo punë duhet të vazhdoj me një rreptësi, me një disiplinë shumë të madhe shkencore. Sepse ato që shkatërruan, ato që vranë edhe ato duhet të paguajnë moralisht, materialisht dhe gjithsesi në të gjitha fushat”, th a Minxhozi.

Në emër të autorëve foli Fetnete Ramosaj, autore e librit “KUNDËR HARRESËS – Gjenocidi i Serbisë në Kosovë 1998-1999”.

Ramosaj tha se shteti dhe shoqëria e Kosovës,  kanë bërë   fare pak,  për të zbardhur të vërteten e gjenocidit, që i ka ndodhur popullit kosovar. Ajo ka apeluar tek drejtësia e Kosovës që të bëjë dokumentimin e asaj, që ka ndodhur në Kosovë.

 

“Ne si shoqëri shqiptare kemi bërë pak, për të argumentuar ngjarjet e tmerrshme të luftës në Kosovë. Për të tjerët nuk e di, por unë për veten time, tri vjet më parë kur bashkë me koleget e Institutit për hulumtimet e krimeve të luftës, e kemi filluar një hulumtim në terren, shtëpi me shtëpi në familjet që kanë pësuar nga lufta, më ka ndodhur shumë herë që ta ndjej vetën jo vetëm keq por edhe të turpëruar. E kam ndjerë vetën të turpëruar, sepse si shtet kemi bërë  pak për t’i dokumentuar vuajtjet, dhimbjet humbjet, flijimet në përgjithësi, të gjitha aktet e gjenocidit, që i kanë kryer forcat serbe, gjatë luftës në Kosovë. Dhe kemi qenë ekipi i parë nga institucionet e shtetit, që 15 vjet pas përfundimit të luftës,  u ka trokitur në derë, për të marrë të dhëna të kompletuara për rastet e krimeve dhe janë dëshmi të tmerrshme”, tha ajo.

Ndryshe, botimet të cilat u përuruan janë: 1. Prof. Dr.sc. Fejaz Drançolli, Trashëgimia e shkatërruar në Kosovë 1998/99 / 2. Mr.sc. Fetnete Ramosaj, KUNDËR HARRESËS – Gjenocidi i Serbisë në Kosovë 1998-1999 3. Mr.sc. Baki Svirca, Plaçkitja dhe Shkatërrimi i Fondit Arkivor të Kosovës nga Serbia, para dhe gjatë luftës 1998-1999./kp