Kreu i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi ka bërë të ditur se ka rezultuar pozitiv me virusin korona, raporton Gazeta Express.
Për këtë arsye, Prestreshi thotë se AKK’ja është duke punuar me kapacitete të kufizuara. Ai ka bërë të ditur se edhe kolegët e tij i kanë bërë testet dhe janë duke pritur rezultatet.
“Menjëherë sapo më është konfirmuar rezultati, unë kam njoftuar kolegët e AKK-së, të cilët tashmë janë testuar dhe janë në pritje të rezultateve. Përveç tyre, kam njoftuar edhe personat e tjerë më të cilët kam pasur kontakt këto ditë. Duke respektuar rekomandimet e autoriteteve përgjegjëse, ne do të punojmë nga shtëpitë tona, në mënyrë që ta mbrojmë shëndetin tonë dhe atë publik. Gjithsesi, mbesim të përkushtuar që edhe në këto kushte t’i kryejmë me përgjegjësi detyrat që na takojnë”, ka thënë ai, derisa ka lajmëruar se gëzon shëndet të mirë dhe është izoluar në shtëpi.
“Unë gëzoj shëndet të mirë dhe aktualisht jam vetëzoluar në shtëpinë time dhe po respektoj udhëzimet e autoriteteve shëndetësore për ta tejkaluar këtë situatë. Uroj që të gjithë kolegët e AKK-së të jenë mirë më shëndet dhe sa më shpejt t’i rikthehemi punës në kushte normale”, tha ai./Express/