Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi ka deklaruar se nuk ndihet fajtor për sulmin në Kuvendin e Kosovës.
Ai është shprehur se pafajësia e tij dhe anëtarëve të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje tashmë është dëshmuar.
“Sot nuk jemi duke u gjykuar për sulmin, pafajësia jonë është e qartë dhe dëshmohet por megjithatë ne jemi fajtor, në një vend ku kriminelët janë në pushtet e jo në burg dhe kushdo që i kundërshton ata është fajtor”.
“Fajtor janë ata që angazhohen për një shtet të zhvilluar, në një shtet ku vlerë është krimi e hajnia, fajtor je edhe nëse je qytetar i ndershëm”.
Madje Krasniqi në seancën e sotme gjyqësore ka thënë se ai dhe anëtarët e tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje do të jenë gjithmonë fajtor derisa kanë përballë një prokuror si ai që e ka rastin e tyre.
“Të dënohesh prej kriminelëve nënkupton që po ja u zë rrugën, dhe ky është nder për neve”.
“Historia ka treguar se pushtetet autoritare kanë dënuar njerëz të pafajshëm para se me përfunduar prapa grilave”, ka përfunduar Krasniqi.
Në Gjykatën Themelore të Prishtinës po mbahet seanca fillestare kundër aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqit, Atdhe Arifit, Egzon Halitit si dhe Adea Batushës.
Prokuroria Speciale e Kosovës ndaj tyre ka ngritur aktakuzë për veprën penale “terrorizëm”.