Ish kryeparlamentari tash kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën Jakup Krasniqi e ka quajtur propozimin e akademik Rexhep Qoses për ndryshimin e kufijve shqetësim, e jo dëshirë të tij.
Sipas Krasniqi, propozimi i Qoses kërkon analiza më të thella e më përmbajtjesore, një analizë më të gjithanshme që duhet të bëhet nga studimi i disa fushave shoqërore e ekonomike.
“Natyrisht edhe duke i analizuar gjithanëshmërisht rrethanat gjeopolitike dhe ato të sigurisë në përgjithësi dhe në veçanti sigurinë kombëtare. Për ketë të fundit nuk jemi duke u kujdesur seriozisht e më përgjegjësi edhe pse në rrethanat e reja në nivel botëror, do të duhej ta shtronim me më shumë përgjegjësi e seriozitet sigurinë kombëtare”, shkruan Krasniqi në Facebook.
Ish kryeparlamentari vlerëson se nuk ka asnjë dyshim, se kufijtë ishin e janë edhe çështja e Fuqive të Mëdha. Sipas tij, është më se e sigurt, se pa lëvizur kombet dhe pa bërë lëvizje shumë te guximshme e të fuqishme, nuk ka kufij të kombeve shtete.
“Kështu ishte më të gjitha kombet e Evropës Juglindore, kur u shkëputen nga Perandoria Osmane. Ketë se paku e kanë konfirmuar dy pavarësitë shqiptare, pa angazhimin e kombit tonë, nuk do të ndodhte as 28 Nëntori 1912 e as 17 Shkurti 2008. Këtu nuk mund të mohohen as mbështetjet e shteteve te fuqishme të kohëve përkatëse”, thekson Krasniqi.
Duke theksuar se ndryshimi I kufijve nuk është as dëshirë kombëtare, Krasniqi thotë se propozimin e Qoses duhet parë, si dëshirë për mbylljen e konfliktit që e kanë prodhuar bisedimet e Brukselit e veçanërisht kërkesa për formimin e Bashkësisë se Komunave serbe, që ka dalë nga ajo marrëveshje.
“Propozimin duhet parë, si kërkesë e vërejtje që mos të shkohet drejt degradimeve (humbjeve) të reja?! Që mos të shkohet tutje me paqartësi e pasiguri të reja! “Faji” i vetëm i Akademikut tonë është, pse ai ende nuk po e sheh që politika shqiptare, ka prioritete të tjera meskine dhe nuk e ka prioritet, sigurinë e zhvillimin në nivel kombëtar?!”, ka theksuar në fund Krasniqi./KosovaPress/