Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka folur pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së në selinë qëndrore të kësaj partie.
Krasniqi ka thënë se takimi i sotëm nuk kishte asgjë të jashtëzakonshme dhe se mbledhja ishte e rregull, raporton lajmi.net.
Ai po ashtu tha se temë diskutimi e këtij takimi ishte edhe situata në veri të vendit, dhe rëndësia jetike që e njëjta mos të eskalojë.
“Mbledhja nuk është urgjente, mbledhja është e rregullt. Është kryesia e partisë ajo që ka barrën kryesore. Është e vërtetë që ne patëm diskutime me theks të veçantë të sigurisë në veri”, ka thënë ai.
“Për ne është e rëndësishme që ajo situatë mos të degradojë. Si institucione do ta përmbushim detyrën kushtetuese për të siguruar stabilitet”, shtoi ai.
Krasniqi foli edhe për taksën prej 100 për qind të vendosur nga Qeveria e Kosovës, për të cilin vendim tha se është marrë në pajtim të plotë me të gjithë koalicionin qeveritar, dhe PDK-ja është pajtuar parimisht me këtë masë.
“Në koordinim mes partnerëve është rritur taksa për 100 për qind. PDK-ja është pjesë e Qeverisë, vendimi nuk mirret pa pajtimin e plotë”, tha ai.
Ndryshe, në media sot u raportua se kryetari i PDK-së, ka thirrur një takim urgjent me ministrat e kësaj partie.
I njëjti raportim më pas u demantua nga vetë zyrtarë të këtij subjekti./Lajmi.net/