Kryetari i Këshillit Kombëtar i NISMA për Kosovën, Jakup Krasniqi në një replikë me Kryeministrin Isa Mustafa ka thënë se Lista Serbe që është në bashkëqeverisje po punon kundër Kosovës për të sjellë sa më shumë Serbinë brenda saj. Ai ka nënvizuar se kësaj të fundit i ndihmon edhe kryeministri me të cilin kanë bërë disa punë të përbashkëta që kanë qenë kundër Kosovës, shkruan Gazeta Express.
Jakupi vë theksin se sovraniteti i shtetit dhe tërësia territoriale e Republikës së Kosovës janë rrezikuar dhe po rrezikohen nga Kryeministri, koalicioni i çakorduar dhe Lista Serbe
“Kryeministri po harron se Listën Serbe e ka në bashkëqeverisje dhe se bashku me te i kanë bërë disa punë të përbashkëta që kanë qenë kundër Kosovës dhe nuk po mund ta bëjë asnjë punë të mirë për Kosovën me Listën Serbe. Qeveria nuk po mund ta bëjë FAK-në, nuk mund ta ndryshoj Kushtetutën, nuk mund ta miratojnë asnjë ligj të mirë për qytetarët e Kosovës etj. Duhet të jesh më shumë se i verbër, për t’i bërë bashkë opozitën me Listën Serbe?!” ka shtuar Ai.
Nderkaq Krasniqi i ka dalë në mbrojtje opozitës kundër kritikave të kryeministrit. Ai ka theksuar se opozita angazhohet për të penguar çdo ndërhyrje të Serbisë në Kosovë, që Serbia të jetë jashtë Kosovës, që Kosova ta bëjë jetën e saj të shtetësisë pa u penguar nga Serbia dhe Lista Serbe, që Kosova ta ketë ushtrinë e vet etj.
“Ndërsa Isa Mustafa e Hashim Thaçi me marrëveshjet e Brukselit e kanë fuqizuar Listën Serbe dhe përditë e më tepër po e bëjnë Serbinë hisedarë në sovranitetin e Kosovës dhe pasurinë e saj.” thotë përfaqësuesi i NISMA’s.
Ai nuk ka lenë pa përsëritur se me miratimin e demarkacionit Kosova do të humbë 8200 hektarë tokë.