Aktuale

Krasniqi: Kjo KQZ do t’i rrënojë zgjedhjet e lira dhe demokratike

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi ka shprehur pakënaqësinë e tij lidhur me përbërjen e re të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke vlerësuar se kjo KQZ do t’i rrënojë edhe zgjedhjet e lira dhe demokratike.

Sipas Krasniqit, me ketë konstituim të KQZ-së, në rend të parë, është shkelur neni 139 paragrafi katër i Kushtetutës për ndërtimin e një institucionit të pavarur, i cili e ka përgjegjësinë për të mbikëqyrur mirëvajtjen e zgjedhjeve të lira e demokratike.

“Ndërsa kështu siç është konstituua, nuk mund të konsiderohet si institucion për mirëvajtje, por institucion për tallavajtje”, është shprehur ai.

Kushtetuta sipas Krasniqit e thotë qartë se KQZ-ja përbehet nga përfaqësuesit e Grupeve Parlamentare të Kuvendit.

“Pasi vetëm kjo përbërje që e ka nënvizuar Kushtetuta, garanton zgjedhje të lira, të drejta e demokratike, gjë që nuk e garanton përbërja si po tentohet të konstituohet KQZ-ja”, tha ai.

Veç kësaj, Krasniqi vlerëson se kjo mënyrë e konstituimit është kapje e KQZ-së nga partizanet e zëshëm të kapjes e të shkapjes së institucioneve të shtetit.

“Për partizanet e shkapjës që brenda natës u bënë kapës të një institucioni të pavarur, kush mund të na garantoj që nesër nuk do të dakordohen këta partizanë të vegjël për kapjet e tjera, si p.sh edhe të krimit e të korrupsionit?!”

Krasniqi ka shtuar se praktika jetësore tregon se kushdo që ka vjedhur a ka grabitur pak, sa herë ju ka dhënë mundësia, ka vjedhur e grabitur edhe më shumë.

Sipas tij, ata që e kapen KQZ-në, vështirë është për t’ju besuar se nëse vijnë në pushtet, nuk do t’i kapin edhe institucionet tjera dhe do të bëhen pronar të kapjeve të tjera.

“Përndryshe, pse të bëheshin kapës të KQZ-së së bashku me atë që e kanë akuzuar bash për çdo gjë? Të përfundoj: Kërkoj nga të gjithë ata që e udhëzuan, që e kërkuan dhe e realizuan ketë kapje të KQZ-së, e cila kapje do t’i dëmtoj rënd zgjedhjet e lira e demokratike dhe vet demokracinë, mos të na dërdëllisin më, për mungesë demokracie a mungesë vullneti për të luftuar krimin e korrupsion si dhe mos sundim të ligjit në Kosovë?! Ata duhet që ta dinë se këtyre shëmtive të përmendura dhe shumë të tjera të pa përmendura ua trasuan të gjitha rrugët ekzistuese, duke hapur edhe të reja!”, ka thënë Krasnniqi;.

Mes tjerash, kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës thotë se me ketë logjikë veprimi si në KQZ, “degradimi i demokracisë, por edhe i shtet-ndërtimit do të vazhdoj e thellohet! Qofsha i gabuar!”.