Qëndrimi aktual i Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa në lidhje me çështjen e ndarjes së kufinjëve në mes Kosovë dhe Malit të Zi, është cilësuar si i papërgjegjshëm nga Vetëvendosja.
Ndryshe zëdhënësi i VV-së, Frashër Krasniqi në një prononcim për Gazetën Blic e vlerëson si jo të befasishëm qëndrimin e Mustafës karshi kësaj çështje, duke shtuar se edhe më herët ai e ka parë Kosovën si pjesë të Jugosllavisë, raporton gazetablic.com
“Për Isa Mustafën Kosova nuk humbë tokë nga demarkacioni, ngase ai e sheh Kosovën me syzet e Malit të Zi. Edhe më herët gjatë karrierës së tij politike ai e ka parë Kosovën si pjesë e Jugosllavisë dhe lëvizjet për çlirimin e vendit i janë dukur gabim dhe të papranueshme”,ka thënë ai.
Sipas Krasniqit, humbja e territorit të Kosovës nuk po i bën përshtypje Mustafës, ai këtë e arsyeton me interesa personale të Kryeministrit.
“Atij nuk i bën përshtypje aspak nëse vendi ynë humbë territor ngase mendjen e ka tek pasuria e djemve të tij e jo tek interesi i Republikës sonë”, tha Krasniqi

Zëdhënësi i VV-së, mohon se mungojnë dëshmi që e vërtetojnë se Kosova humb një pjesë të territorit të saj nga shënijmi i kufirit me Malin e Zi, duke thënë se ato i ofrojnë edhe deputetët e LDK-së, parti kjo e udhëhequr nga Mustafa.
“Humbjen e territorit përmes demarkacionit tashmë e kanë dëshmuar shumica absolute e ekspertëve më të mirë vendorë (duke përfshirë edhe deputetë të LDK-së) dhe vetëm një kryeministër i shitur dhe i papërgjegjshëm mund të injorojë faktet bindëse që janë dhënë deri tash”, është shprehur ai, raporton gazetablic.com
Krasniqi, e ka cilësuar të çuditshme faktin, se si për Mustafën qenka prioritet miratimi i demarkacionit, ku derisa sipas tij, për luftimin e krimit dhe korrupsionit nuk u ndërmorr asgjë, që poashtu është kërkesë e BE-së për liberalizim të vizave.
“Normalisht që luftimi i krimit dhe korrupsionit nënkupton pamundësimin e pasurimit të tij, djemve të tij dhe pushtetarëve të tjerë, prandaj nuk i konvenon një gjë e tillë. Kurse demarkacioni nënkupton humbjen e territorit të Republikës së Kosovës, e një gjë e tillë nuk është problem për një politikan si Isa Mustafa”, thotë Krasniqi
Sipas Krasniqit, sondazhet e fundit në lidhje me demarkimin e kufinjëve tregojnë se qytetarët nuk duan të japing territor për viza.
“Megjithatë, sondazhet e fundit kanë dëshmuar që shumica dërmuese e qytetarëve nuk janë të gatshëm të japin territor për liberalizim të vizave. Ky vullnet duhet të respektohet dhe ne do të bëjmë çmos që ta mbrojmë këtë vullnet gjithëpopullor”, përfundoi ai.
(Gazeta Blic)