Grupi i qytetarëve #Protestoj ka protestuar sot pasdite kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, pas publikimit të përgjimeve, e njohur si “Dosja e Shefave” për të njëmbëdhjetën herë me radhë.
Dhjetëra qytetarë kanë marshuar nga sheshi “Zahir Pajazit” drejt sheshit “Skënderbeu”, nga ku edhe kërkuan ndëshkimin e protagonistëve të përgjimeve në krye me ish shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovcin.
“Kë emëroi Adem Grabovci me datë 14.09.2016”, shkruhej në njërën prej pankartave të protestuesve, po ashtu edhe brohoriten “Hajnat në burg”, “Duam punë”.
Nga grupi i qytetarëve, Agrin Krasniqi tha se sot janë mbledhur për të 11-herë për të kundërshtuar ketë mendësi kriminale politike të korruptuar, e cila është shtrirë në të gjitha institucionet e shtetërore, administrative publike si dhe në bordet e ndërmarrjeve publike.
Sipas tij kjo formë e punësimeve pa kriter deri më tani ka shkatërruar institucionet shtetërore, duke i bërë jo-funskionale, duke i kthyer në shërbime të interesave të ngushta.
“Unë, si një i ri i këtij vendi, kundërshtoj këtë mënyrë të udhëheqjes, e cila ka shkatërruar dhe vazhdon të shkatërrojë jetën e mijëra të rinjve duke i lënë të pa punë, pa të ardhura, pa siguri sociale, dhe pa të ardhme të sigurt. Jemi vendi me numrin më të madh të të rinjve, dhe me të rinjtë më të papunë, të cilët shkollohen dhe prapë mbesin në rrugë, si pasojë e ngufatjes institucionale nga klane kriminale të cilët nuk u ngopen kurrë”, theksoi Krasniqi.
Ai tha se protagonistët e përgjimeve janë arsyeja e protestës duke ngritur zërin ndaj këtyre padrejtësive
“Ata tallen me dhe prapë kërkojnë votën tonë. Ata nuk përkrahin zërin e qytetarit por ndjekin paranë! Ata punësojnë persona pa kriter dhe nuk shohin nga rinia e cila ka mbet nëpër rrugë. Ata janë arsyeja pse ne jemi këtu tash e sa javë, protestojmë duke ngritur zërin ndaj këtyre padrejtësive. Tash që çdo gjë shihet hapur është detyrë reagimi ynë si qytetarë. Andaj, mënyra e vetme për të shprehur këtë pakënaqësi mbetet rruga dhe kundërshtimi ynë në protesta”, tha ai.
Protesta përfundoi me një aksion simbolik, si pjesë lidhëse e aksionit të djeshëm me moton “Kafet mbani ju, ne duam, të punojmë”. /KP