Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi ka thënë se kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ia ka ndalë fjalën në foltorn e Kuvendit vetëm pse “iu ka tek”.
Madje Krasniqi në një prononcim për mediat, pasi Lëvizja Vetëvendosje ka lëshuar seancën e sotme pas këtij veprimi të kryekuvendarit, ka thënë se e di mirë se pse Veseli e ka bërë këtë veprim, të cilin ai e ka quajtur të papranueshëm, njofton Klan Kosova.
“Ishit dëshmitar edhe ju, edhe gjithë publiku që po na shikonte për një akt të papranueshëm nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli i cili del dhe ia ndalon fjalën një deputeti të Republikës së Kosovës, kundër çdo rregulle, kundër çdo rregullore, pa thënë asnjë fjalë ofenduese, fjalë fyese, thjesht pse atij i teket me ia ndal dikujt fjalën”.
“Për mua ishte e qartë pse Kadri Veseli e ndali fjalën – për shkak se ai e ka kuptuar mirë se procesi gjyqësor që është montuar ndaj nesh dhe të cilin këta e kanë shfrytëzuar për të marrë poena politikë ndaj tij ka rënë në ujë sot. Po shihet çdo ditë e me qartë se ne jemi të pafajshëm në këtë rast dhe për këtë Kadri Veseli e di që iu ka shku ftyra në këtë rast të montuar politik në të cilin këta i futën duart vetë”.
“Dhe normalisht, e vërteta e rastit tonë është e vërteta që Kadri Veseli nuk do ta dëgjojë, dhe jo që nuk do ta dëgjojë vetë, se kjo nuk është e çuditshme, po nuk do as qytetarët e Kosovës ta dëgjojnë, nuk do as deputetët e vet ta dëgjojnë”.