Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, ka deklaruar se dialogu me Serbinë jo vetëm që solli ‘normalizimin’ e marrëdhënieve mes dy vendeve, por trimëroi Serbinë duke i bërë edhe tri provokimet e fundit, ndërkohë që presidenti e kryeministri i Kosovës, pa fije turpi bëjnë thirrje që edhe opozita t’i bashkohet dialogut.
Krasniqi në një konferencë për media duke folur për dialogun dhe krizën politike, tha se dialogu i filluar në 2011-ën, pa ndonjë përgatitje serioze, nuk kishte shans të përfundonte ndryshe.
Sipas tij, ky dialog nuk u përdor asnjëherë si mjet për forcimin e shtetit të Kosovës dhe nxjerrjen e Serbisë nga veriu i Kosovës, por u përdor nga Thaçi për forcimin e pushtetit të tij personal dhe kthimin e Serbisë në Kosovë, përmes Listës serbe.
“Ky dialog, jo vetëm që nuk solli normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, por e trimëroi Serbinë aq shumë, saqë ajo për një kohë të shkurtër bëri tri provokime të rënda ndaj Kosovës. Provokimi i parë i Serbisë ishte ndalimi i Ramush Haradinajt në Francë, sipas një flet arresti të lëshuar nga Beogradi, më pas kujtojmë edhe ndërtimin e murit i cili ndan qytetin e Mitrovicës dhe agresioni i fundit, nisja e trenit shovinist nga Beogradi për në Kosovë. Tash kur të gjithë janë duke parë që ky lloj i dialogut po zhvillohet sipas kushteve dhe interesave të Serbisë, i cili i ka dëmtuar interesat e vendit, bëhet ftesë për një dialog gjithëpërfshirës. Pra, këta njerëz në vend se të japin llogari për dëmet që i kanë sjell vendit përmes këtij dialogu, ata pa fije turpi bëjnë ftesë që edhe opozita t’i bashkohet me veprimet e tyre të dëmshme për vendin. Ne të Nismës u themi këtyre njerëzve se politika nëns htruese ndaj Serbisë ishte dhe është e gabuar dhe duhet të ndërpritet sa më parë. Dialogu i deri tashëm është bërë vetëm për interesa të Serbisë dhe vazhdimi i tij, nuk mund të prodhojë diçka tjetër. Prandaj vendi domosdo duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Sa më parë aq më mirë”, tha Krasniqi.
Përgjegjës për këtë formë të dialogut dhe degradim të shtetit, sipas ish kryeparlamentarit të Kosovës, janë kryeministri Isa Mustafa dhe presidenti Hashim Thaçi.
Ndërsa i pyetur për idenë e shkëmbimit të territoreve, për të dhënë veriun për Preshevën, Jakup Krasniqi tha se duhet të bëhen analiza të thella për të ardhur tek një përfundim i tillë.
Duhet vërtetë të bëhet studim i gjithanshëm, duhet të bëhen analiza të gjithanshme për të ardhur deri tek përfundimet e tilla, ky vend dhe kjo politikë që është sot nuk ka analiza të plota për ti analizuar mirë të gjitha rrethanat dhe pastaj për të bërë kërkesa të tilla. Megjithatë kërkesa të tilla mund të shfaqen dhe nga dëshpërimi se gjërat nuk po normalizohen, por duhet të analizohen më thellë“, tha ai.
E sekretari i përgjithshëm i Nismës, Bilall Sherifi , tha se opozita po ftohet në dialog, me qëllim që së bashku t’i japin goditjen e fundit Kosovës.
“Kryeministri dhe presidenti tash po thotë ejani tani të bëhemi bashkë dhe t’i japim goditjen përfundimtare Kosovës. Nëse të gjithë së bashku po konstatojmë që ky dialog është i dëmshëm, që ky dialog ka degradua Republikën dhe shtetin e Kosovës, ky dialog e ka kthye Serbinë në Kosovë më fuqishëm se sa ka qenë përpara. Kjo ftesë që t’i bashkëngjitëm dialogut të dizajnuar nga ata, do të përkthehej me një ftesë ejani të i japim goditjen përfundimtare Kosovës bashkë. Ne vet s’po mundemi me ia dhanë sepse do të dalim sërish në zgjedhje dhe do të humbim. Pra gjithçka po kalkulohet për zgjedhje jo për Kosovën”, tha Sherifi. /KP