Sekretari për Media dhe Komunikim i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, në një intervistë për Klan Kosovën ka komentuar lidhur me deklaratat e nënpresidentit amerikan, Joe Biden, të bëra në konferencën për media së bashku me presidentin, Hashim Thaçi
“E përcollëm konferencën, është interesante që insistimi më i madh sa i përket Demarkacionit dhe Asociacionit është i vet Thaçit”.
“Edhe deklarata e Biden, nuk e minimizon faktin se këto dy procese janë të dëmshme për të ardhmen e Kosovës dhe qytetarëve. Ne mendojmë që Amerika e ndjek rrymën institucionale, Biden vjen, rri dy ditë, por pasojat mbetën këtu”.
Krasniqi, u shpreh se ai që dëshiron që këto marrëveshje të kalojnë sa më parë është Thaçi, e jo Amerika, njofton Klan Kosova.
“Për Thaçin, Demarkacioni e Asociacioni është projekt personal pasi ai është i gatshëm të shes gjithçka publike”.
“Biden foli shumë për luftën ndaj korrupsioni, është interesante se njëri nga njerëzit që është person kyç i krimit, është Thaçi me të cilin ishte në takim”.
“Krimi dhe korrupsioni në Kosovë, nuk mund të luftohet me Thaçin e Veselin që qëndrojnë në kokën e krimit dhe kjo po dëshmohet edhe përmes skandaleve të fundit”.
Krasniqi ka thënë se nuk u ka ngelur hatri pse Biden nuk u takua me opozitarët, pasi që ata e dinë se takime të tilla zhvillohen me përfaqësuesit e institucioneve. Por ai ka thënë se kërkesa e Biden për ta luftuar korrupsionin, nuk mund të realizohet me persona të korruptuar.
“Është e padrejtë të kërkohet lufta ndaj korrupsionit prej njerëzve që e kanë krijuar dhe e mirëmbajnë korrupsionin.”.