Aktuale

Krahu i Molliqajt bojkoton platformën e Albinit për kryetar

Krahu i Dardan Molliqajt ka bojkotuar organizimin ku albin Kurti shpalosë platformën e tij për kryetar të Lëvizjes së Vetëvendosjes. Bashkë me ta, paraqitjen e platformës së Kurtit e injoroi edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Në paraqitjen e Albinit para anëtarëve të partisë, nuk po merr pjesë askush nga krahu i Dardan Molliqajt, madje as kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili akoma nuk është deklaruar publikisht për pozicionimin e tij brenda partisë.

Përçarja e Vetëvendosjes kishte si pikë kryesore ambiciet e Albin Kurtit për t’u kthyer në krye të partisë, gjë që po e kundërshtonin Dardan Molliqaj, Visar Ymeri e shumë të tjerë që kanë dhënë dorëheqje nga funksionet brenda partisë.

Edhe pse askush nga këta nuk kandidoi për kryetar të Vetëvendosjes në zgjedhjet e partisë që priten të mbahen në shkurt, duke e lënë kështu Albin Kurtin kandidat të vetëm, kundërshtuesit e tij e injoruan plotësisht paraqitjen e tij para anëtarëve të VV’së.

Në organizimin që po mbahet në Sallën e Kuqe, Albinit i janë mbledhur vetëm ndjekësit e tij besnikë, që e duan si ‘babë të partisë’.

Përveç atyre që publikisht e deklaruan se nuk e duan Albin Kurtin kryetar, në këtë organizimin mungoi edhe Shpend Ahmeti, i cili ka mbetur pothuajse personi i vetëm në VV që nuk ka marrë anë publikisht.

Indikacionet janë se Ahmeti i takon krahut të Molliqajt dhe madje është nga kryesorët e këtij grupi, por vetë ai publikisht nuk ka thënë asgjë. Mungesa e tij në paraqitjen e Albinit forcon bindjen se as Ahmeti nuk e do Kurtin kryetar. /Express/