Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur për rinumërimin edhe të 530 vendvotimeve, pas rekomandimit të Qendrës së Rinumërimit dhe Rezultateve.
Koordinatori i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, Burim Ahmetaj, ka rekomanduar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të rinumërohen 530 vendvotime për shkak të mospërputhjeve të formularëve dhe problemeve tjera teknike.
“Më herë KQZ ka marrë vendim për rinumërimin e 314 vendvotimeve për shkak të votave gabim të subjekteve politike. Mirëpo, nga auditivi rezulton se janë edhe 149 vendvotime të kësaj natyre, meqë ekziston vendimi i KQZ-së, sugjerimi është që të rinumërohen në bazë të vendimit paraprak, që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka pas veç të marrur këtë vendim. Numri i tyre është 149”, tha Ahmetaj.
Ahmetaj ka shpjeguar edhe rekomandimet tjera për vendvotimet që duhet të rinumërohen.
“Të rinumërohen edhe 24 vendvotime me probleme teknike. Ka raste kur kandidati ka vota, ndërsa subjekti nuk ka, që janë 81 vendvotime. Kur e kemi bërë krahasimin e votave të kandidatëve në formularët, me ato të subjekteve ka dalë se në këto raste kandidatët kanë me shumë vota se subjekti dhe nga të gjeturat janë 187 vendvotime që të rinumërohen. Këto janë të gjeturat nga raporti i auditivi. Po ashtu edhe 89 vendvotime ku kandidati ka me shumë vota se subjekti. Këta formularë nuk mund të procedohen nëse nuk rinumërohen. Janë diku 530 vendvotime të cilat duhet të rinërohen”, tha Ahmetaj. /FaktePlus