Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), sot do të bëjë tërheqjen e shortit të renditjes së kandidatëve për kryetar të Podujevës.
Shorti tërhiqet në orën 11:00, për të cilin janë ftuar përfaqësuesit e të tri subjekteve të cilat janë certifikuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, i cili tutje theksoi se ky institucion ka marrë vendi që partitë politike dhe kandidatët mund të zhvillojnë fushatë zgjedhore për 11 ditë, përkatësisht nga data 3 deri më 13 mars.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kryer përgatitjet ligjore dhe teknike për të organizuar tërheqjen e shortit për renditjen e kandidatëve dhe subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës. Ky aktivitet do të mbahet sot, më 2 mars, ora 11:00, dhe për të tërhequr shortin janë të ftuar përfaqësuesit e 3 subjekteve politike që janë certifikuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje”.
“Nga data 3 mars deri më 13 mars është periudha kur subjektet politike dhe kandidatët mund të zhvillojnë aktivitetet e tyre në kuadër të fushatës zgjedhore. Pra, sipas vendimit të KQZ-së, janë gjithsejt 11 ditë për të zhvilluar fushatë zgjedhore me qëllim të fitimit të përkrahjes së votuesve”, ka thënë Elezi për Gazetën Metro.
Zgjedhjet për kryetar të kësaj komune do të zhvillohen më 15 mars, kurse në garë për fitore janë vetëm tre kandidatë, Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës.
Kujtojmë se këto zgjedhje do të mbahen pasi ish-kryetari Agim Veliu, ka pranuar detyrën e ministrit të Punëve të Brendshme në Qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti.