Aktuale

KQZ sot shqyrton regjistrimin e tri partive të reja

Edhe tri parti të reja pritet t’i shtohen Kosovës, pasi ato të certifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Pas këtij certifikimi, Kosova do të ketë gjithsej 55 subjekte politike, të cilat mund të dalin të kërkojnë mbështetjen qytetare në zgjedhjet që pritet të mbahen së shpejti.

Partia Balliste, Partia Euroatlantike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Diasporës, janë tri subjektet politike që presin certifikim.

Në një njoftim për media të KQZ-së, për mbledhjen e cila do të mbahet sot, është bërë me dije edhe rendi i ditës.

Valdete Daka, kryesuese e mbledhjes së KQZ-së fillimisht do ta vë në votim shqyrtimin dhe miratimin i procesverbalit të mbledhjes së KQZ-së.

E pasojnë aktivitetet e Zyrës së Regjistrimit të Partive Politike. E aty janë tri pika.

“Rekomandim për rishqyrtim lidhur me Regjistrimin e Iniciativës Politike ‘Partia Balliste’; Rekomandim për Regjistrimin e Iniciativës Politike ‘Partia Euroatlantike e Kosovës’; dhe Rekomandim për Regjistrimin e Iniciativës Politike ‘Partia Demokratike e Diasporës’”, janë tri pikat që do të shqyrtohen në mbledhje.

Kështu me këto tri parti, para votuesve kosovarë në zgjedhjet që pritet të mbahen së shpejti mund të dalin të kërkojnë vota gjithsej 55 parti.

Zyrtarë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) kanë treguar për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus se aktualisht janë 52 subjekte funksionale dhe me tri të rejat, numri arrin në total 55.

Kujtojmë se vendi pritet së shpejti të shkojë në zgjedhje të parakohshme pas caktimit të datës 22 gusht për mbajtjen e një seance ku pritet të bëhet shpërndarja e Kuvendit./FaktePlus