Aktuale

KQZ pret vendimet e Gjykatës Supreme për certifikimin e rezultateve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) po pret vendimet e Gjykatës Supreme ndaj ankesave mbi vendimet e PZAP-së, për t’i certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit.

Kështu tha të mërkurën kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, pas mbledhjes në të cilën u miratua raporti i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve mbi rinumërimin e 117 kutive të votimit sipas vendimit të PZAP-së, të cilat ndryshuan votat e tre kandidatëve të tri subjekteve politike.

Koordinatori i QNR-së Burim Ahmetaj ka paraqitur raportin nga rinumërimi i 117 kutive të votimit. Ai tha se pas rinumërimit diferenca mes partive nuk është e madhe, ndërsa te votat e kandidatëve ka pasur disa ndryshime.

“Prej të gjitha këtyre rinumërimeve që janë bërë në QNR tash kemi ri-renditje të votave të kandidatëve dhe kemi tri ndryshime në mandate në tri subjekte politike. Është fjala për subjektin politik LAA, ku Naser Osmani ka 7.350 vota dhe Imet Rrahmani që ka 7.272 vota që do të thotë Naser Osmani ka fituar mandat dhe Imet Rrahmani ka humbur mandat pas rinumërimit. Te subjekti KSTP Fikrim Damka tash pas rinumërimit ka 2.980 vota që ka fituar mandat, ndërsa Mahir Yagcilar ka 2.928 vota që do të thotë se ka humbur mandat. Lista Serbe, Slavko Simiq ka 12603 vota, që do të thotë se ka fituar mandat dhe Branimir Stojanovic ka 12.464 vota që do të thotë se ka humbur mandat. Këto janë ato tri subjektet që ka pasur efekt rinumërimi pas vendimit të PZAP-së”, tha Ahmetaj.

Po ashtu, ndryshime ka pasur edhe tek votat e disa kandidatëve tjerë për deputetë, por që nuk kanë ndryshuar në votat përfundimtare në renditjen e tyre në listat e subjekteve politike.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se certifikimi i rezultateve do të bëhet sapo të përfundojë Gjykata Supreme me ankesat e bëra ndaj vendimeve të PZAP-së.

“Edhe një herë po ju tregoj se ne jemi duke i pritur vendimet e Gjykatës Supreme ndaj ankesave të vendimeve të PZAP-së. Dhe në momentin që t’i marrim vendimet nga Gjykata Supreme dhe varësisht nga ato vendime do t’i certifikojmë rezultatet”, tha Daka.

Ndërsa, anëtari KQZ-së Adnan Rrustemi e quajti shqetësues vonesën e certifikimit të zgjedhjeve.

“Kjo pjesa e shpalljes së rezultateve është bërë një aspekt shqetësues për kundër argumenteve që duken që e arsyetojnë, në anën tjetër në raport edhe me publikun edhe ,e palët e përfshira në proces zgjedhor është e pajustifikueshme”, tha Rrustemi.

Në këtë mbledhje janë ngritur edhe disa çështje tjera, siç janë ndërmarrja e masave për të mos u përsëritur herëve tjera çështja e rinumërimeve të shumta, fletëvotimeve të pavlefshme e tjera.

Anëtari i KQZ-së, Betim Gjoshi, ka kërkuar nga institucionet që të shohin masat që duhet të ndërmerren për ta përmirësuar këto aspekte.

“Mendoj që institucionet e Kosovës, presidenti dhe Kuvendi duhet të fillojnë menjëherë pas konstituimit të Kuvendit një procedurë të reformës zgjedhore që duhet të përfshijë edhe masat se si ta mbrojnë, nuk po them as t’i mbyllin listat as t’i hapin, por të shohin si është më e lehtë numërimi më i saktë i votave për kandidat se po vazhdojmë të kemi probleme. 425 kuti i kemi rinumëruar si rezultat i detektimit nga QNR-ja për shkak të pasaktësive të votave për kandidat”, tha Gjoshi.

Po ashtu KQZ miratoi edhe kërkesën e sekretariatit të KQZ-së për zgjatjen e orarit për punonjësit e KQZ-së. Por, Gjoshi kërkoi arsyetim për këtë, pasi raporti i auditorin ka dhënë vërejtje dhe rekomandime për punën përtej asaj që lejon ligji.

“Një prej vërejtjeve dhe rekomandimeve ka qenë në këtë fushë, do të thotë na ka thënë që kemi punuar më shumë se që lejon ligji i punës, ne ose është mirë ta arsyetojmë, po, po e vërtetë është në raport të auditorit e kemi, tash është mirë ose është mirë të punojmë sa na ka thënë auditori, ose të tregojmë për shkak të detyrave të afateve ligjore që përfundojnë në 12 të natës, kemi të shtune të diele dhe kemi detyrim ligjor, nuk është vetëm një ligj, kemi ligjin për zgjedhjet, që ne duhet ta respektojmë. Se mos po na dërgojnë ndonjë inspeksion po na mbyllin zyrën të shtunave kur të punojmë”, ka thënë Gjoshi.

Po ashtu, në mbledhjen e KQZ-së u shtrua nevoja për rritjen e aktiviteteve për informimin dhe edukimin e publikut për votimin. Për këtë, u emërua një këshill i përbërë nga anëtarët e KQZ-së, në përbërje të të cilit u votuan anëtarët Ilir Gashi, Adnan Rrustemi, Eshref Vishi dhe Bajram Latifi, i cili u emërua në vend të Nenad Ricalos. Madje, kryetarja Valdete Daka me shaka nuk e la as të fliste.

“Mirë de, po atëherë po dëshiron të zëvendësohet, ta fusim Bajramin, sepse duhet dikush që e njeh gjuhën. Mirëpo, atëherë kush është për, Bajram shuaj…”, u shpreh me shaka Daka.

Ndryshe, KQZ miratoi edhe zëvendësimin e këshilltarëve komunalë në Gjilan dhe Prishtinë. /KP