Në mbledhjen e Komisionit Qendror për Zgjedhje(KQZ), është vendosur që fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarin e ri të komunës së Gllogovcit, të jenë pesë ditë, duke shtuar edhe katër qendra tjera të votimit.
Gjithashtu në këtë mbledhje, KQZ ka aprovuar kërkesën për buxhet për zgjedhjet e 4 dhjetorit në Gllogovc, ku janë ndarë 268 mijë e 557 mijë euro për raundin e parë të zgjedhjeve, kurse, për raundin e dytë janë ndarë 69 mijë e 863 euro.
Ndryshe nga dokumenti zyrtarë i ndarë për media, Gashi ka ngatërruar shumën e buxhetit të ndarë duke shkaktuar konfuzitet.
“Ne si institucion na duhet që të trajtojmë edhe çështjen e buxhetit, si Komision i Buxhetit sot e kemi trajtuar dhe duke pas parasysh që ne nuk kemi pas buxhet të paraparë për këtë situatë, ne kemi ardhur në situatë që të bëjmë një kërkesë buxhetor, kërkesë për buxhet shtesë sa i përket këtij operacioni. Shkresën që keni para vetës e kap një shumë buxhetore, është paraparë për dy raunde që do të mund të mbahen në raundin e parë 266 mijë e 357 euro dhe kjo përfshin gjithë operacionin zgjedhor në mallra shërbime dhe çështje tjera. Në raundin e dytë 67 mijë e 663 euro. Ne do të i drejtohemi Qeverisë së Kosovës për këtë kërkesë buxhetor”, ka treguar Gashi.
Kryeshefi i sekretariatit të KQZ-së, Enes Halimi, ka shprehur shqetësimin e tij rreth mënyrës se si do të bëhet furnizimi me material zgjedhor, meqenëse nuk ka kohë të mjaftueshme për të respektuar procedurat e rregullores.
“Ne kemi edhe probleme me sigurimin e materialeve…Tashmë jemi në proces zgjedhor të jashtëzakonshëm dhe neve me qëllim të sigurimit të materialeve që nevojiten për zgjedhje, shkurtimisht them duhet të sillemi jashtëzakonshëm. Duke u sjellë jashtëzakonshëm, duke vepruar jashtëzakonshëm shpesh detyrimisht bie ndesh me taktikën më pak të preferuar sipas rregullativës ligjore. Pikërisht për këtë fakt ne shpesh po bëhemi edhe objekt hetimi për njerëz nga instancat që mund të kenë pëlqimet e veta dhe që neve na shkakton problem. Pra, shërbimi i afateve dhe zënia me kohë e afateve që kanë të bëjnë me sigurimin e materialit zgjedhor…të diskutojmë mënyrën se si të dilet nga kjo situatë për shkak se jemi në hallë të madh sepse nuk mund të sigurojmë materialet nëse tentojmë t’i zbatojmë praktikat dhe parimet e rregullativës”, tha Halimi.
Por anëtarët e komisionit kërkuan ndonjë strategji apo mënyrë se si do të mund të zgjidhej kjo çështje pa shkelur rregulloren, por Halimi tha se nuk ka diçka konkrete dhe për këtë kërkon nga organet kompetente të bëhet një zgjidhje.
Anëtari Adnan Rrustemi ka theksuar që duhet të respektohen procedurat ligjore. Shqetësimi i Adnan Rrustemit dhe Binak Vishaj ishte edhe shkuarja e kryetares Valdete Daka në takim i cili ishte thirrur nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
“Të paktën Gashi është dashur të na njoftoj me shkresë, unë sot marrë pjesë te presidentit i me këtë ftesë, me këtë rend dite, ne ta dimë se çfarë të themi”, tha ai.
Për këtë Sami Hamiti nga radhët e LDK-së, i cili kryesoi mbledhjen e KQZ-së, e ka konsideruar takim të drejtë pasi ftesa e presidentit është legjitime, duke theksuar që presidentit nuk është politik. Por pasi që Rrustemi këmbëngulte që kryetarja nuk është dashur të shkoi, Hamiti me nervozizëm i është drejtuar duke thënë se nëse nuk kanë qenë përfaqësuesit e tyre opozitar mos të shkojë edhe kryetarja.
“Kryetarja e KQZ-së është e emëruar prej presidentit dhe nuk është përfaqësues politik siç jemi ne të gjithë, e përfaqëson KQZ-në por e ka emëruar presidenti. Presidenti nuk është politik dhe tash pse ne po e dallojmë politikisht, ne me Kushtetutë e kemi që na përfaqëson të gjithëve dhe nuk ka shkuar në një takim politik por ka shkuar në takim te presidenti. Ne e dimë që nuk do të ndodh asgjë, është një takim konsultativ por që unë konsideroj që asgjë të keqe nuk ka që kryetarja ka shkuar…tash nuk po u dashka me shku sepse opozita nuk ka shkuar”, tha Hamiti.
Gjithashtu për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Gllogovc është formuar edhe grupi punues i KQZ për zgjedhjet i përbërë nga tre anëtarë nga KQZ, Ergjan Spat, Iliri Gashi, dhe Adnan Rrustemi. Kurse nga sekretariati i KQZ, Fehmi Ajvazi e Miradije Meha.
Ndryshe, data e fushatës zgjedhore do të jetë nga 28 nëntori deri më 2 dhjetor./KP