Menjëherë pasi presidenti shpalli 6 tetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme është aktivizuar edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili tashmë ka mbajtur mbledhjen, ku është kërkuar një buxhet prej mbi pesë milionë euro dhe janë marrë disa vendime tjera për procesin zgjedhor.
Më saktë anëtarët e KQZ-së kërkuan nga Qeveria në dorëheqje 5 milionë e 698 mije euro për organizimin e zgjedhjeve.
Ilir Gashi nga Këshilli për Buxhet dhe Financa në KQZ, ka thënë se sipas analizave, këtij institucioni i duhen këto para për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Ai tutje ka shtuar se çështja e buxhetit duhet të trajtohet sa më shpejt dhe institucionet nuk duhet t’i vonojnë mjetet.
“Kemi trajtuar buxhetin që na duhet, mbi 5 milionë euro. Duket një rritje e kërkesës së buxhetit sepse është konsideru rritja e pagesave për trajnerë, kryesues të qendrave të votimit. Duhet të trajtohet sa më shpejtë sepse institucionet nuk duhet të na vonojnë për mjetet “, ka thënë ai.
Kurse kryeshefi i sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi ka thënë se nuk mund të bëjnë asnjë procedurë pa u alokuar mjetet.
Ai tha se kanë kontaktuar edhe me Ministrinë e Financave, por se as ata nuk e kanë të qartë se si do të veprojnë.
“Ne s’mund të bëjmë asnjë procedurë për tu furnizuar pa u alokuar buxheti. është e kotë të shpallen zgjedhjet e sot të miratohet buxheti pa pasur mjete. Kemi kontaktu me Ministrinë e Financave por as ata nuk e kanë të qartë si të veprojnë. S’mund të fillojë asnjë procedurë të furnizimit. Të ndërmerret ndonjë hap sepse është e kotë të merren vendime”, ka thënë mes tjerash Halimi
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se do të dërgojnë sot kërkesën për mjetet buxhetore, ndërsa paralajmëroi se nëse nuk ka para nuk mund të vazhdohet puna e këtij institucioni për zgjedhjet.
“Presim që ky buxhet i kërkuar të alokohet për ne. Nëse s’kemi para. i zhvillojmë procedurat vetëm deri aty ku na mundësojnë procedurat ligjërisht”, ka thënë ai.
KQZ-ja ka vendosur që fushata zgjedhore të fillojë më 25 shtator dhe të përfundojë më 4 tetor. Ndërsa afati për regjistrimin e votuesve jashtë vendin do të jetë i hapur nga 30 gushti deri më 10 shtator. Afati për deklarimin e koalicioneve do të jetë deri në orën 00:00 të datës 30 gusht.