Me tensione të larta janë shpallur rezultatet përfundimtare për komunat e Kosovës nga ana e KQZ-së, ngase pati mjaft kundërshtime për rezultatin e zgjedhjeve për Prishtinë dhe Prizren.
Anëtari i KQZ-së Sami Hamti ka thënë se në zgjedhjet e rundit të dytë në Prishtinë nuk ka pasur proces të rregullt dhe ka pasur keqpërdorime të votave, dhe ka vepruar ‘Treni Bullgar” nga LVV-ja.
Po ashtu sipas tij, gjatë numërimit të votave me kusht, doli në shesh që megjithatë LVV ka bërë një trysni shumë të madhe që të bëhet numërimi i votave me kusht para se të bëhet rinumërimi në tërësi i kutive në Prishtinë dhe me një shqetësim shumë të madh kanë bërë opinione dhe trysni që të merret ai vendim edhe nga Gjykata Supreme.
Hamiti, po ashtu, ka shtuar se angazhimi aq i madh që mos të bëhet rinumërimi ka qenë, sepse “diçka ka ndodhur në kuti”.
“Adnan, ju keni qenë kategorik që mos të bëhet rinumërimi, sepse keni pasur këtë dyshim, sepse thjesht keni vepruar me ‘trenin bullgar’, për ndryshe s’keni pasur arsye mos me kontestuar, sepse ai rezultat kishte ardhur. Por, e keni ditur shumë mirë që vulat e vendvotimeve, kur të hapen dhe të shikohen gjenden fletëvotime të ndonjë vend votimi tjetër, të bartura. Nuk e merr askush për dashuri fletëvotimin me fut në xhep”, ka thënë Hamiti.
Po ashtu edhe anëtari tjetër i KQZ-së, Betim Gjoshi ka votuar kundër votimit të rezultateve përfundimtare për Prizrenin, pasi tha se ka dyshime të mëdha për aplikimin e “Trenit bullgar” edhe në Prizren.
“Mendoj se këto rezultat nuk pasqyrojnë vullnetin real të qytetarëve të komunës së Prizrenit. Se, nuk kishte proces të rregullt në komunën e Prizrenit janë të shumta argumentet të cilat shkojnë. E para, është tendenca, e cila me çdo kusht dhe çdo lloj mjeti që mos të lejohet transparenca e procesit, hapja e kutive, rinumërimi dhe hetimi i fletëvotimeve, ku edhe KQZ ra pre e këtij presionit. Mirëpo, është parë që në tri fletëvotime mungojnë dhe nuk janë brenda zarfeve. Kjo na ka bërë që me pasur dyshime të bazuara që është aplikuar i ashtuquajturi ‘treni bullgar’ dhe ka mundur me mijëra herë të keqpërdoret kjo”, ka theksuar Gjoshi.
Ndërsa, Adnan Rrustemi, anëtar i KQZ-së nga LVV-ja, ka thënë se është shqetësuese, që po lejohet të përdoret institucioni, madje, për t’i realizuar veprimet që tashmë Gjykata Supreme i ka zhvleftësuar. Ai ka thënë se konstatimet e Hamitit dhe Gjoshit janë të paqëndrueshme.
“Këto janë të paqëndrueshme që i tha Hamiti pa asnjë dyshim. Janë komplet inskenime për me arsyetuar gjendjen. Në secilin komunë asnjë zarf të votimit me kusht, ku nuk ndodhet fletëvotimi. Kjo mund të ndodhë nga arsyet më të ndryshmet. Ky është pretekst i paqëndrueshëm. Kush ka ankesa le ta përdorë afatin 24 orë për të parashtruar ankesë, por jo me ngritë spekulime në raport me aktin e shpalljes së rezultateve përfundimtare”, ka thënë Rrustemi.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Valdete Daka ka shpallur rezultatet përfundimtare pa komunën e Istogut dhe Kllokotit, ndërsa për asamble për komunën e Vushtrrisë.
Komuna e Gjakovës, Ardian Gjini AAK ka marrë 21 mijë e 999 ose 53.46 për qind. Mimoza Kusari Lila nga Alternativa ka marrë 19 mijë e 152 vota ose 46.54 për qind. Në komunën e Gjilanit, Lutfi Haziri nga LDK-ja ka 21 mijë e 261 vota ose 63.81 për qind dhe Sami Kurteshi nga LVV 12.057 vota ose 36.19 për qind.
Në komunën e Dragashit Shaban Shabani nga PDK-ja ka 6 mijë e 579 vota ose 51.07 për qind dhe Selim Kryeziu nga LDK-ja ka 6 mijë e 303 vota ose 48.93 për qind. Në komunën e Kaçanikut, Besim Ilazi nga PDK-ja ka 6 mijë 782 vota ose 54.73 për qind, si dhe Bastri Kodra nga LVV 5.609 vota ose 45.27 për qind.
Në komunën e Klinës, Zenun Elezaj nga AAK 8.397 vota ose 51.62 për qind dhe Sokol Bashota nga PDK-ja 7.869 vota ose 48.38 për qind. Në komunën e Kamenicës, Qëndron Kastrati nga LVV ka 8 mijë e 764 vota ose 55.57 për qind dhe Shaip Surdulli nga LDK 7 mijë e 6 vota ose 44.43 për qind.
Në Mitrovicë Agim Bahtiri nga AKR-ja ka 16 mijë e 509 vota ose 57.41 për qind, ndërsa Valdete Idrizi nga PDK-ja ka 12 mijë e 245 vota ose 42.59 për qind. Në komunën e Obiliqit, Xhafer Gashi nga AAK ka 6 mijë e 370 vota ose 60.52 për qind dhe Mehmet Krasniqi nga LDK-ja ka 4 mijë e 155 vota ose 39.48 për qind.
Në komunën e Rahovecit, Smajl Latifi nga AAK ka 10 mijë 561 vota ose 50.70 për qind, dhe Idriz Vehapi nga PDK-ja 10 mijë e 271 vota ose 49.30 për qind, ku për këtë rezultat ka votuar kundër anëtari i KQZ-së Betim Gjoshi.
Në komunën e Podujevës, Agim Veliu nga LDK-ja ka 20 mijë e 27 vota ose 63.78 për qind dhe Ajet Potera nga LVV ka 11 mijë e 373 vota ose 36.22 për qind. Në Prishtinë, Shpend Ahmeti nga LVV ka 42 mijë e 262 vota ose 50.22 për qind dhe Arban Abrashi nga LDK-ja ka 41 mijë e 897 vota ose 49.78 për qind.
Në Prizren, Mytaher Haskuka nga LVV ka 25 mijë e 949 vota apo 50.36 për qind dhe Shaqir Totaj nga PDK-ja ka 25 mijë e 577 vota ose 49.64 për qind. Në komunën e Shtimes, Naim Ismajli nga PDK-ja ka 6 mijë e 252 vota ose 51.61 për qind dhe Fatmir Rashiti si kandidat i pavarur ka 5 mijë e 861 vota ose 48.39 për qind.
Në Suharekë Bali Muharremaj nga AAK ka 13 mijë e 755 vota dhe Sali Asllanaj nga LDK-ja ka 12 mijë e 410 vota. Në komunën e Ferizajt Agim Aliu nga PDK-ja ka 24 mijë e 384 vota dhe Muharrem Sfarça nga LDK-ja 19 mijë e 616 vota. Në komunën e Vushtrrisë Xhafer Tahiri nga LDK-ja ka 15 mijë 122 vota dhe Ferit Idrizi nga PDK-ja ka 12 mijë 758 vota.
Në komunën e Malishevës Ragip Begaj nga Nisma për Kosovën ka 10 mijë e 868 vota dhe Mursel Gashi nga PDK-ja ka 8 mijë e 607 vota.
Në këto rezultate përfundimtare nuk përfshihen rezultatet e zgjedhjeve të raundit të dytë për Kryetar të Komunës së Istogut dhe Kllokotit, pasi nuk ka përfunduar vendosja lidhur me çështjen e ankesave.
Në këtë mbledhje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare edhe të rivotimit për kryetar të Komunës së Parteshit, që u mbajt më 19 nëntor.
Në këto rezultate të certifikuara nuk përfshihen rezultatet nga zgjedhjet për Kuvend Komunal të Komunës së Vushtrrisë pasi në Gjykatën Supreme nuk ka përfunduar akoma vendosja lidhur me ankesat që janë paraqitur në këtë institucion./KP