Janë bërë një muaj prej kur 112 delegatë të pakënaqur të Partisë së Drejtësisë kanë zgjedhur për kryetar të ri të partisë, Sylejman Çerkezin. Kuvendin e jashtëzakonshëm zgjedhor e ka quajtur jolegjitim Ferid Agani që e drejtoi këtë parti për disa vjet. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndërkaq ende nuk e ka dhënë qëndrimin e vet sa i përket legjitimitetit të këtij kuvendi.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tash e një muaj nuk po i kthen përgjigje Partisë së Drejtësisë për kuvendin e jashtëzakonshëm zgjedhor që kjo parti e ka mbajtur më 28 shtator, ku kryetar u zgjodh Sylejman Çerkezi. Koordinatori i Partisë së Drejtësisë, Bajram Tërshani, beson se KQZ-ja po e pret afatin e fundit për ta legjitimuar këtë kuvend zgjedhor.
“Prej KQZ-së ende nuk ka diçka zyrtare, por besojmë se KQZ-ja këtë javë definitivisht do të dalë me qëndrimin korrekt që presim ta marrim, sepse gjithçka ka shkuar në bazë të ligjeve, normave juridike, edhe brenda statutit, por edhe rregulloreve demokratike që ka Kushtetuta e Kosovës”, tha Tërshani për Radio Kosovën.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, e kontaktuar nga Radio Kosova nuk ka pasur ndonjë përgjigje për këtë, duke thënë se është Zyra për Regjistrimin e Partive Politike ajo që merret me këto çështje.
“Thënë të drejtën, nuk jemi të informuar, nuk e di ende çka ka ndodhur me atë”, ka thënë Daka.
Por, edhe në zyrën për Regjistrimin e Partive, nuk thonë asgjë konkrete. Miradije Mavriqi, udhëheqëse e kësaj zyre, të vetmen përgjigje që e jep është se kjo çështje është në procedurë.
“Unë po të tregoj se jemi në procedurë, më tepër s’di çka të them, s’kam çka të them”, tha Mavriqi.
Koordinatori i Partisë së Drejtësisë, Bajram Tërshani, thotë se sipas informatave që ka, KQZ-ja afatin e fundit për të kthyer përgjigje përfundimtare e ka këtë të enjte. Por, Miradije Mavriqi thotë se nuk ka kurrfarë afati për një gjë të tillë.
Partia e Drejtësisë më 28 shtator ka mbajtur kuvendin e jashtëzakonshëm zgjedhor ku 112 delegatë të pakënaqur me kryetarin Ferid Agani, zgjodhën Sylejman Çerkezin kryetar të ri të partisë. Megjithatë, Agani e ka quajtur jolegjitim këtë kuvend. Përkundër pakënaqësive ndaj tij, në Partinë e Drejtësisë thonë se nuk e kanë përjashtuar Aganin, por e kanë zgjedhur anëtar të kryesisë së partisë. /RTK