Komisioni Qendror Zgjedhor ka certifikuar rezultatet përfundimtare për kryetar të 32 komunave, ndërsa 6 komunave nuk u janë certifikuar rezultatet për shkak të ankesave që janë bërë në PZAP.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se për shkak të afatit të shkurtër për shkak të 19 komunave që shkojnë në balotazh, sot do të bëjnë certifikimin e rezultatit për 32 komuna.
Ndërsa, rezultatet për Kamenicën, Parteshin, Istogun, Obiliqin, Drenasin dhe Junikut do të certifikohen pas përgjigjeve të dhëna nga PZAP për ankesat e këtyre 6 komunave.
“Ato që nuk certifikohen janë pra komuna e Kamenicës, Parteshit, Istogut, Obiliqit, Drenasit dhe Junikut, ndërkaq rezultatet e të gjitha komunat tjera certifikohen me qenë se për këto gjashtë komuna ka ankesa pranë PZAP-së dhe deri më tani nuk kanë arritur përgjigjet në këto ankesa. KQZ ka vendosur që për shkak që është afati shumë i shkurtë me qenë se kemi komuna që do të shkojnë në balotazh. Pra, janë 16 komuna, të cilat do të shkojnë në balotazh, plus këto tri komuna që kanë ankesa ka vendosur që të bëjë certifikimin e 32 komunave. Pra, gjashtë komuna që kanë ankesa pranë PZAP do të presim rezultatin e këtyre ankesave dhe pastaj do të veprojmë”, tha Daka.
Në këtë mbledhje të Komisionit Qendror Zgjedhor është aprovuar edhe dizajni dhe formati i fletëvotimeve për të 19 komunave që janë në balotazh.
Sipas Eshref Vishi, anëtar i KQZ-së nga radhët e Nismës për Kosovës, sasia e fletëvotimeve që do të shtypen për raundin e dytë të zgjedhjeve do të jetë më i vogël sesa numri i votuesve për 4.77 për qind.
“Llogaritja e sasisë së numrit të fletëvotimeve është bërë sikurse në zgjedhjet e kaluara ku numri i fletëvotimeve do të jetë më pak se numri i votuesve që në përqindje i bie 4,77 për qind, numri i votuesve që do të votojnë për raundin e dytë të zgjedhjeve është 1 milionë e 336 mijë e 613, ndërsa do të shtypen 1 milionë e 288 mijë 950 fletëvotime ose 65 mijë e 663 fletëvotime më pak se numri i votuesve për komunat që shkojnë në balotazh”, tha ai.
KQZ po ashtu ka miratuar edhe periudhën e votimit jashtë Kosovës, e cila fillon më 4 nëntor dhe përfundon me 17 nëntor. /KP/