Komisioni Qendror Zgjedhor deri tani ka akredituar 25 mijë vëzhgues, derisa vetwm sot ka akredituar gjithsej 21 mijë e 754 vëzhgues për monitorimin e zgjedhjeve lokale të 22 tetorit.
Miradije Mavriqi nga Zyra për Regjistrimin e Partive Politike ka rekomanduar akreditimin e gjithsej 21 mijë e 745 vëzhguesve pasi që dokumentacioni i kontrolluar ka qenë konform legjislacionit.
““Deri më 25 shtator gjegjësit deri më 27 shtator zyra ka proceduar në rekomandimin e parë i kemi 15 organizata vëzhguese gjegjësisht me 4mijë e 310 vëzhgues, organizatat vëzhguese i kam të rekomanduara në rekomandimin e parë ….ndërsa në rekomandimin tjetër i keni 25 organizata me gjithsej 17 mijë e 444 vëzhgues… Zyra konkludon dhe konstaton se dokumentacioni i aplikimit është konform legjislacionit dhe rekomandon akreditimin e 21 mijë e 754 vëzhgues”, tha ajo.
Vëzhguesit e akredituar përfaqësojnë subjekte politike, OJQ, organizata ndërkombëtare, media vendore e ndërkombëtare.
Gjatë kësaj mbledhje, Komisioni Qendror Zgjedhor, gjithashtu ka miratuar përbërjen e emërimeve për Këshillat e Vendvotimeve sipas komunave përkatëse për Zgjedhjet Lokale 2017.
Anëtari i KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës, Betim Gjoshi ka kërkuar nga Sekretariati i KQZ-së që deri të dielën t’i dorëzojw emrat e përveçëm e anëtarëve të këshillave të vendvotimit.
“Është me rëndësi shumë që Sekretariati i Komisionit Qendror Zgjedhor që të paktën deri të dielën në mbrëmje të na i dërgon emrat e përveshëm të këtyre personave në bazë të kësaj formule. Është me rëndësi që asnjë zëvendësim i tyre të mos bëhet pa e marrë miratimin e Komisionit Qendror Zgjedhor”, tha Gjoshi.
Ndërkaq, kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi ka njoftuar se periudha e votimit përmes postës ka filluar më 21 shtator.
Sipas tij numri i zarfeve që u janë dërguar votuesve jashtë Kosovës është 8 mijë e 746.
“Periudha e votimit përmes postës ka filluar me datën 21 shtator dhe përfundon me datën 20 tetor, para kësaj periudhe janë përgatitur materialet për votim dhe janë dërguar përmes postës së votuesve, të cilët suksesshëm kanë aplikuar për t’u regjistruar gjatë periudhës së aplikimit që është ndërmarrë nga data 16 korrik deri më datën 23 gusht…Numri i zarfeve që janë dërguar votuesve jashtë Kosovës është 8 mijë e 746, po ashtu 6 mijë e 500 votues janë njoftuar përmes emailit”, tha ai.
Halimi tha se po ashtu KQZ ka bërë shpërndarjen e materialeve nëpër pika shpërndarëse në 26 ambasada, 26 konsullata dhe në 31 pika shpërndarëse të tjera të Republikës së Kosovës në diasporë. /kp