Presidenti i Republikës së Kosovë, Hashim Thaçi, ka dekretuar sot emërimin e 53 gjyqtarëve të rinj, të cilët do të jenë gardianë të së drejtës për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Gjyqtarët e rinj kanë bërë betimin dhe janë zotuar që do t’i qëndrojnë besnikë Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Presidenti i Republikës së Kosovës tha se Republika e Kosovës ka për synim funksionimin sa më të mirë të ligjit.
Thaçi: Do të duhet punë e palodhshme, sidomos në fushën e drejtësisë
“Republika e Kosovës ka bërë dhe po bënë reforma në vazhdimësi me të vetmin qëllim që sistemi gjyqësor të punojë sa më mirë… Do të duhet një punë e palodhshme sidomos në fushën e drejtësisë… Të gjithë duhet të jemi të angazhuar për respektimin e rendit juridik dhe kushtetues e ligjor të Republikës së Kosovës, më qëllim të ecjes përpara dhe që të jemi krah-për-krah me vendet e zhvilluara e demokratike”, tha ai.
Në fjalën e tij, presidenti Thaçi është shprehur se në supet e gjyqtarëve të rinj është një përgjegjësi e madhe, për të cilën, është shprehur të jetë i bindur se gjyqtarët e rinj do të din ta mbajnë dhe qytetarët e vendit do të ndjejnë veten të sigurt dhe të barabartë para ligjit.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor në Kosovë, Nehat Idrizi, është shprehur se vlerëson punën e Gjyqësorit të Kosovës pasi që sistemi gjyqësor në Kosovë ka nevojë për shfrytëzimin e të gjitha potencialeve në dhënien llogari dhe transparencën.
Ai uroi gjyqtarët e rinj duke i ftuar ata të jenë shembull të demokracisë së mirëfilltë dhe mbrojtës të ligjit.
Idrizi: Ne kemi nevojë që t’i pastrojmë gjykatat tona
“Të nderuar gjyqtarë, dua që sot të kuptoni rëndësinë e profesionit që keni zgjedhur. Besoj që flas në emër të disa institucioneve të drejtësisë këtu. Po themi se ne kemi nevojë për ju, kemi nevojë që t’i pastrojmë gjykatat tona në mënyrë që të gjithë të ecim me një hap të përbashkët përpara, në mënyrë që nuk duhet të përfshijë vetëm ambicien drejt proceseve integruese, por të rrisë interesimin e publikut në performancën gjyqësore të Gjyqësorit, në respektimin e pakontestueshëm dhe të pa kompromis për të drejtat themelore për liritë e njeriut që është parakusht absolut për qëndrueshmërinë e një shteti demokratik”, tha ai.
Në fund, 53 gjyqtarë të rinj kanë bërë betimin, me zotimin për të mbrojtur ligjet e Republikës së Kosovës.