Aktuale

Kosovës i duhet edhe shumë për të avancuar në shkencat shëndetësore

Ka nisur sot në Prishtinë Simpoziumi i Shtatë Ndërkombëtar i Shkencave Shëndetësore “Shëndetësia e avancuar, klienti në qendër”.

Në nisje të simpoziumit u tha se avancimi shëndetësor, siç është i rëndësishëm për çdo shoqëri në botë, është i rëndësishëm edhe për shoqërinë tonë.

Zëvendës ministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku, tha se shtimi i pjesëmarrësve në këtë simpozium tregon që të rinjtë janë të interesuar për hulumtime, pasi që përmes këtyre hulumtimeve arrihet që të ngritën rezultatet e arritura në shëndetësi.

Ai madje ka konsideruar se po hyhet në fazën ku rezultatet e këtij organizimi në lëmin e shëndetësisë jemi të gatshëm t’i krahasojmë me rezultatet e vendeve tjera.

“Secilin vit po shtohet numri i pjesëmarrësve, dhe kjo po tregon që të rinjtë tanë janë të interesuar për hulumtime të tilla, për arsyeje se përmes hulumtimeve të tilla ne arrijmë që të rrisim rezultatet e të arriturave në shëndetësi. Prandaj, konsideroj që ky simpozium po tregon që ne po hyjmë ne fazën që përveç fazës ku kemi pas zhvillim, apo avancim të shëndetësisë, tash po hyjmë në fazën ku ne rezultatet tona jemi të gatshëm t’i krahasojmë edhe me rezultate e vendeve të tjera. Pjesëmarrja e një numri të madh të njerëzve nga vendet tjera tregon për rëndësinë që ka ky simpozium”, tha Sadiku.

Drejtori i “Qeap-Heimerer”, Petrit Beqiri, tha se avancimi i hulumtimit shëndetësor është i rëndësishëm edhe për ne, si edhe për çdo shoqëri tjetër. Por ai tha se avancimi i shkencave shëndetësore nuk është në nivelin e dëshiruar.

“Avancimi i hulumtimit shëndetësor është i rëndësishëm për çdo shoqëri, i njëjtë është edhe për shoqërinë tonë. Momentalisht avancimi i shkencave shëndetësore, por edhe shkencave në vend, nuk është në nivelin e dëshiruar. Gjithashtu kemi mundësi të pakta të platformave të paraqitjes së hulumtimeve të shkencëtareve brenda vendit, për këtë qëllim, dhe mbesim të shtyrë posaçërisht nga thënia e Gandit, që një grand veprim është më i çmueshëm se sa një ton predikimi”, tha Beqiri.

Kurse prorektorja për Cilësi në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Teuta Pustina- Krasniqi, tha se nuk mund të thuhet se shëndetësia në Kosovë është e nivelit të ulët.

“Simpoziumi ka një vlerë mjaftë të madhe për vendin tonë Kosovës. Sa i përket shëndetësisë në Kosovë nuk mund të themi se shëndetësia është e një niveli të ulët, por e një në niveli të ulët është ajo e cila punohet dhe nuk shkruhet në letër. Prandaj, ky simpozium le të jetë edhe si një nismë, një iniciativë për gjeneratat e reja që atë të cilët e punojnë me pacientët e tyre ta shkruajnë edhe në letër”, tha Pustina.

Kurse infermierja, Jennifer Caldwell, ka treguar se si duhet trajtuar pacientët.

“Gjatë punës sime ndër vite, pacientët, klientët apo personat, quani si të doni ju, kanë qenë qendra e punës sime. Unë punoj shumë afër me këta persona, ata nuk janë pacientë të mijë por ne punojmë së bashku, ne jemi një ekip. Unë e zbuloj se çka dëshiron të bëjnë ky person me jetën e tij dhe unë i ndihmoj ata ti arrijnë qëllimet e tyre. Kështu që, ne duhet ta mbajmë mend se ne jemi mysafirë në jetën e atij personi, në një kohë krize në jetën e tyre për shkak se ata janë të sëmurë, apo një anëtar i familjes së tyre është i sëmurë , apo diçka ka ndodhur në jetën e tyre.

Simpoziumi i Shtatë Ndërkombëtar i Shkencave Shëndetësore “Shëndetësia e avancuar, klienti në qendër”, do të mbahet tri ditë, në Prishtinë. Në këtë simpozium do të paraqiten 40 hulumtime./KP