Aktuale

Kosovarit i humbi gjykimi në Zvicër, shkak viza

Gjykata e Qarkut në Bremgarten e ka dënuar një kosovar 36 vjeçar si vjedhës serik me 27 muaj burg pjesërisht me kusht prej 4 vitesh (9 muaj duhet t`i mbajë efektivisht) dhe me 900 franga gjobë.

Por e veçanta në këtë proces gjyqësor është se i dënuari nuk ka qenë fare aty ku i është bërë gjyqi.

Kjo ka ngjarë pasi që ai ndodhet në Kosovë dhe nuk është arritur të sigurohet vizë për ardhje në Zvicër.Ndonëse prokuroria kishte dhënë për të urdhrin për t`u sjellë në Zvicër dhe vetë i dënuari kishte shprehur vullnetin për të ardhur, por ai nuk e kishte ditur se për këtë i nevojitej viza që e lëshon Ambasada e Zvicrës në Kosovë. Kështu ka thënë avokati i tij në proces.

Prokurori ka thënë se sa i përket akuzës, kosovari ia ka lehtësuar punën, pasi që ai i ka pranuar të gjitha. Nga ana tjetër avokati ka thënë se klienti i tij ishte deklaruar se dëshironte ta mbante dënimin në Zvicër.Ndërsa lidhur me deliktet e kryera ai kishte thënë se në atë kohë ka qenë “i ri dhe i marrë”.

Bëhet fjalë për kohën në mes viteve 2005 dhe 2006, kur ai kishte qenë 24 deri 25 vjeçar, përcjell albinfo.ch. Vlera në para e presë që ka vjedhur ai ka qenë rreth 43 mijë franga ndërsa si bashkëpjesëmarrës dy “kolegë” të tij tashmë janë dënuar.

Pasi që veprat për të cilat i akuzuari ngarkohet kanë ndodhur më shumë se 10 vite më parë, gjyqtari ka thënë se më e udhës ka qenë që të bëhej një gjykim me procedurë të shkurtër se sa një procedurë e rregullt.

Sigurisht, ka thënë gjyqtari, kosovari synon që pas vuajtjes së dënimit të vazhdojë qëndrimin në Zvicër, ku jeton e shoqja me të cilin kanë një fëmijë. Por, nëse kjo dëshirë do t`i plotësohet ose jo, do të vendosin autoritetet për migracion.(aargauerzeitung.ch.)