Dy alpinistët, Ilir Gaxha nga Prishtina dhe Arbër Krasniqi nga Brezna e Dragashit, nën udhëheqjen e këtij të fundit, më 13 korrik 2016 në ora 12:02 pushtuan majën më të lartë në Europë, Mont Blanc
“Është ndjenja ma e fuqishme që kam ndjerë, ngritja e flamurit kombëtar në majën më të lartë në Europë. Kjo ishte gjëja e parë që bëmë kur mbërritëm, që me ngritjen e tij të nderojmë çdo shqiptar”, tha Ilir Gaxha.
Ai po ashtu tregoi se përkundër motit tepër ekstrem dhe këshillave të guidave për rrezikun e udhëtimit, këta ishin këmbëngulës të përfundonin me sukses ekspeditën.
“Kisha besim në Arbër Krasniqin dhe në vete se mund t’ia dalim”, tha Gaxha për Express.
Ndërsa vetë Arbër Krasniqi, i cili mori udhëheqjen e ekspeditës, pasi shumica e pjesëtarëve të saj nuk kishin mundësi të vazhdonin rrugën, tha se ecjen e tij ua dedikon të gjithë të rënëve për liri, të gjithë atyre që sot janë meritor për këto që gëzojmë, madje edhe për mundësinë që të marrin rrugë të tilla.

“Ishte kënaqësi e veçantë që përveç flamurit kombëtar që e ngritëm, arrita ta ngre edhe flamurin e UÇK-së në majën më të lartë në Europë pasi që ngjitjen ja kisha dedikuar me gjithë zemrën dhe shpirtin gjithë të rënëve që e kanë dhënë jetën për lirinë e vendit, lirinë që po e gëzojmë sot, dhe të rënët nuk duhet harruar kurrë”, thotë Krasniqi.
Derisa Iliri ngjitjen ia kishte dedikuar të atit të tij, të ndjerit Afrim Gaxha, ku 13 korriku ishte ditëlindja e 68 e tij me moton “Krenar që jam biri yt”.

Për shkak të motit të ligë, ekspedita ishte anuluar dhe shumë alpinistë ishin kthyer nga strehimorja Gouter që gjendet në mbi 3800 metra lartësi mbidetare, megjithatë vetëm një numër i vogël i alpinistëve kishin marr guximin të ngjiten në këtë ditë në Mont Blanc.
Kështu që më 13 korrik 2016 ishin ngjitur gjithsej vetëm 9 vetë në majën më të lartë në Europë, prej të cilëve një polakë, dy belgë me guiden e tyre francez, tre baskë dhe dy shqiptarët nga Kosova.
Alpinistët shqiptarë nga Prishtina nuk harruan të përmendin miqësinë e veçantë të krijuar me baskun Xabier Azanza Arbizu, i cili ishte po ashtu shumë këmbëngulës të arrinte majën, miqësi të cilën thonë se do ta ruajnë dhe të organizojnë ngjitje tjera alpine së bashku në të ardhmen.
Pjesëmarrësit në këtë ekspeditë kanë qenë edhe Astrit Rexhaj, Burim Leci, Asdren Osaj, Engjëll Sokoli, Malsore Krasniqi, Edmond Gashi, Albinot Bimbashi, Besnik Vasolli, Adriana Kabashi, Amir Tusuni, Ukshin Ahmetaj
