Rajon & Botë

Kosova u solidarizua me popullin amerikan për sulmet e 11 shtatorit

Më 11 shtator të vitit 2001, u kryen sulmet më të tmerrshme terroriste në Shteteve e Bashkuara të Amerikës, ku me aeroplan të rrëmbyer terrorist u shembën kullat binjake në Nju Jork dhe u sulmua pentagoni, ku humben jetën mijëra qytetarë. Kurse, pas 15 vitesh, Kosova e kujtoi këtë ditë të kobshme për SHBA-të dhe gjithë demokracinë botërore.

Kosova sot u solidarizua me popullin mik amerikan dhe me familjet e viktimave të 11 shtatorit.

Nën patronatin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, sot u organizua akademi përkujtimore në nderim të viktimave të sulmit terrorist që ndodhen 15 vjet më parë në kullat binjake, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).

Veseli tha se 15 vjet më parë, bota pa me sy dhe ndjeu me zemër një nga momentet më dramatike në historinë bashkohore me sulmin e pa shembullt nga terrorizimi i kullave binjake në Nju Jork.

 

“Ne ndihemi krenar se vendi ynë, Republika e Kosovës dhe populli ynë qëndron përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër kësaj të keqeje, e cila kërcënon mënyrën tonë të jetesës dhe vlerat demokratike. Ne ndihemi krenar se liria jonë, shteti ynë i pavarur dhe sovran janë të lidhura në mënyrë të pandashme me emrin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Veseli.

Partneriteti dhe miqësia me SHBA-të janë dy prej vlerave themelore të shtetit të Kosovës, dhe sipas tij, bazamenti mbi të cilën qëndron vizioni i shtetit të Kosovës për të ardhmen e atdheut tonë. Për të cilën Veseli tha se asnjëherë nuk ka pasur dhe nuk do të ketë dilema rreth këtij partneriteti.

 

“Ne ndihemi krenar duke qenë populli më pro amerikan në botë, kjo nuk është as oportonizëm, as servilizëm, përkundrazi, është një respekt ndaj vetës sonë, ndaj vuajtjeve tona, ndaj sakrificës sonë, është mirënjohja morale për përkrahjen vendimtare që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhanë popullit tonë në momentet më të rënda”, tha ai.

Kryetari i shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi, tha se edhe pse shqiptarët janë popull i vogël, janë aleat strategjik për SHBA-të.

 

“Më 11 shtator nuk u sulmua Amerika, më 11 shtator u sulmua tërë bota… Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë sovrani i krijimit të demokracisë, sovrani i krijimit të shteteve të reja, avancimi i kombeve të reja. Ne jemi ata që kemi pasur fatin t’i kemi Shtetet e Bashkuara aleat në realizimin e aspiratave tona, duke mos e anashkaluar në as një mënyrë rolin e Ushtrisë Çlirimtare”, tha Rexhepi.

Për këtë ditë përkujtimore, janë organizuar edhe aktivitete të larmishme nga kjo shoqatë.

Në nderim të viktimave të sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 në ShBA, sot u ulë flamuri amerikanë në gjysmështizë nga Garda e nderit të Policisë së Kosovës si dhe parakalimi i zjarrfikësve të Prishtinës me sinjalizime të ndezura në sheshin “Bill Clinton”.

Po ashtu, në kuadër të këtyre aktiviteteve në pallatin e rinisë u hap ekspozita me fotografi nga ngjarjet e 11 shtatorit 2001 në SHBA dhe aktivitete të shoqatës për këtë datë. /kp