As pas rreth dy javësh, institucionet e vendit ende nuk kanë vendosur për shumën e mjeteve financiare që do t’i dhurohen Shqipërisë, si ndihmë për të prekurit nga tërmetet që e dridhën shtetin shqiptar, pasditen e 21 shtatorit të këtij viti. Në Qeveri kanë zgjedhur heshtjen për këtë çështje, pavarësisht se Haradinaj premtoi ndihmë po atë ditë për shtetin shqiptar.
Pasditen e 21 shtatorit, Shqipëria u goditë nga dy tërmete të fuqishme, lëkundjet e të cilave vazhduan të dëgjohen edhe gjatë dy ditëve të ardhshme.
Përveç në Shqipëri, dridhjet u dëgjuan edhe në Kosovë, Bullgari, Bosnje, Kroaci, Greqi, Itali, Serbi, Maqedoni të Veriut e në Mal të Zi.
Nga tërmetet që dridhën shtetin shqiptar brenda 11 minutave, u lënduan mbi 100 persona dhe u dëmtuan 915 banesa e pallate.
Për gjendjen e krijuar atje, reaguan edhe krerët e institucioneve të vendit. Madje, premtuan ndihma financiare për të prekurit.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj njoftoi se ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar të gjithë të prekurit.
Haradinaj deklaroi se Qeveria e vendit do ta ndihmojë Shqipërinë, me një ndihmë financiare për t’i evituar dëmet.
“Kam udhëzuar Gjeneralin e FSK-së, Rrahman Rama dhe Drejtorin e Policisë, Rashit Qalaj që të vënë kontakte me homologët e tyre, për të ofruar çdo ndihmë të nevojshme. Në të njëjtën kohë, bazuar në kompetencat tona, Qeveria e vendit do ta ndihmojë Shqipërinë, me një ndihmë financiare për t’i evituar dëmet”, kishte shkruar Haradinaj.
Por, pavarësisht se po bëhen rreth 2 javë që nga dita kur Haradinaj dhe krerët e tjerë të institucioneve premtuan ndihma për Shqipërinë, ende nuk është ndërmarrë asgjë në këtë drejtim.
Qeveria ende nuk e ka caktuar shumën e mjeteve financiare që do t’i ndahen shtetit shqiptar, e as nuk ka vendosur për linjën buxhetore prej nga do të sigurohen këto mjete.
Ndërkohë, ditë më parë zëdhënësja e Qeverisë në dorëheqje, Donjeta Gashi i kishte thënë Gazetës Express se po shikohen te gjitha mundësitë financiare dhe ligjore qe ka qeveria për ndarjen e këtyre mjeteve.
Përveç Haradinajt, i gatshëm për ndihmë ishte shprehur edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
I pari i vendit i kishte ofruar ndihmë ushtarake shtetit shqiptar.
“Kam kërkuar po ashtu nga Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, që FSK të jetë në gjendje gatishmërie. Të lënduarve nga shembjet e shkaktuara prej tërmetit iu uroj shërim sa më të shpejtë”, ka shkruar presidenti i vendit, Hashim Thaçi në rrjetin social “Facebook”, të shtunën.
Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli u solidarizua me qytetarët e Shqipërisë. Veseli tha së janë të gatshëm që të mbështesin shtetin shqiptar “me çdo që është e nevojshme”.
“Solidarizohem me motrat dhe vëllezërit shqiptarë matanë kufirit, që sot pësuan nga një tërmet i rëndë. Jemi të gatshëm ta mbështesim Shqipërinë në përballimin e pasojave, me çdo gjë që është e nevojshme”, shkroi Veseli në Facebook.
Ndryshe, nga ajo që u raportua nga Qendrat Ndërkombëtare Sizmologjike, shkalla e tërmetit që dridhi 10 shtete, ka qenë mbi 5.6 ballë të Rihterit. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, ky është tërmeti më i fortë në 20-30 vitet e fundit.