Aktuale

Kosova së shpejti do të ketë ambasador në Bangladesh

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar sot në Nju Jork, kryeministren e Bangladeshit, Sheikh Hasina.​

I shoqëruar nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, presidenti Thaçi shprehu kënaqësinë për takimin e parë dypalësh mes dy vendeve përkatëse, qëkur Bangladeshi e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

Siç njofton Zyra e presidentit, kreu i shtetit tha se Kosova është e përkushtuar për të rritur bashkëpunimin me Bangladeshin dhe se dy vendet do të vendosin së shpejti marrëdhënie diplomatike dhe do të shkëmbejnë ambasadorët.

Presidenti Thaçi iu falënderua kryeministres Sheikh Hasina edhe për mbështetjen e Bangladeshit për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Mbështetja e Bangladeshit në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik (OBI) për njohjen e mëtejshme të Kosovës është e rëndësishme dhe ne ju jemi mirënjohës për mbështetjen që ju keni dhënë rezolutës që përkrah pavarësinë e Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi gjatë takimit me Kryeministren e Bangladeshit, Sheikh Hasina, transmeton KosovaPress.