Aktuale

Kosova pret angazhim të Shqipërisë për ta mbështetur FSK-në

Ministri për Forcën e Sigurisë së Kosovës Rrustem Berisha është takuar sot me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi.

Duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim, ministri Berisha theksoi se bashkëpunimi i mirë i deritashëm në mes të dy ministrive do të thellohet edhe më tej sidomos në fushat: e edukimit, trajnimit dhe të ushtrimeve të përbashkëta në mes ushtrisë së Shqipërisë dhe FSK-së.

Sipas tij FSK-ja po pret angazhimin e Shqipërisë për inkuadrimin e Kosovës në nismat regjionale të sigurisë, e cila me përvojën e saj do ta ndihmojë edhe në fushën e integrimeve euroatlantike.

Po ashtu ministri Berisha e njoftoi ambasadorin Minxhozi rreth procesit të transformimit të FSK-së në FAK, i cili proces, siç tha ai, kërkon angazhimin e faktorëve relevantë të brendshëm në bashkëpunim me partnerët strategjikë të Kosovës.

Ambasadori Minxhozi tha se Shqipëria është e gatshme të thellojë bashkëpunimin në fushën e sigurisë në mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe MFSK-së, si dhe në të gjitha fushat me interes të përbashkët në të mirë të sigurisë së dy vendeve tona, rajonit dhe më gjerë.

Ambasadori Minxhozi, në fund të takimit, paralajmëroi edhe vizitën e ministres së Mbrojtjes së Shqipërisë Olta Xhaqka, e cila do të zhvillohet gjatë muajit nëntor./KosovaPress/