Qeveria e Kosovës u njoftua sot nga Bordi i Korporatës për Sfida të Mijëvjeçarit, që udhëhiqet nga Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson, se kjo agjenci federale amerikane ka ndarë afro 50 milionë dollarë për programin “Threshold” në Kosovë.
Këto mjete do të investohen në vitet e ardhshme në projekte të efiçiencës energjetike, ambientit dhe sundimit të ligjit. Kryeministri i Kosovës në largim, Isa Mustafa deklaroi se ky është një lajm i shkëlqyeshëm për popullin e Kosovës.
“Qeveria e Kosovës me punë intensive dhe në bashkëpunim me ekspertët amerikanë ka arritur një shumë rekorde të dedikuar nga Agjencioni Federal MCC për programet ‘Threshold’ kudo në botë, dhe se Kosova është falënderuese për përkrahje të vazhdueshme të Qeverisë dhe popullit amerikan për zhvillimin ekonomik të Kosovës”, tha Mustafa.
Kryeministri Mustafa më tutje vazhdoi se fokusi i investimeve amerikane që tashmë dihet se do të arrijnë 50 milionë dollarë, do të jetë në fusha shumë të rëndësishme për zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik si dhe krijimin e vendeve të reja të punës në fusha deficitare si energjia e ripërtëritshme, teknologjia, etj. “Me këtë rast falënderoj ekipin e Zyrës së Sfidave të Mijëvjeçarit pranë Zyrës së Kryeministrit të udhëhequr nga Petrit Selimi për punë të zellshme dhe të shpejtë, që ka rezultuar me një paket optimal të granteve për Kosovën nga MCC-ja”.
Petrit Selimi, koordinator Nacional i Zyrës së Sfidave të Mijëvjeçarit pranë Zyrës së Kryeministrit deklaroi se vendimi i Bordit të MCC është një lajm i mirë për Kosovën, lajm i mirë për biznesin kosovar dhe për mijëra përfitues që do të përjetojnë impaktin e vërtetë të investimeve amerikane nga MCC. “Institucionet e Kosovës kanë bashkëpunuar me shoqërinë civile, OJQ-të e shumta por edhe komunitetin e biznesit”.
Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit ka kualifikuar vjet në dhjetor Kosovën për ndihma të programit “Threshold”. Qeveria e Kosovës ka themeluar njësitin e veçantë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit për përpilimin e projekteve konform metodologjisë së përgatitur nga pala amerikane dhe tani pritet që Kosovës t’i derdhen 49.6 milionë dollarë mjete të pakthyeshme për të përforcuar reformat në fusha të rëndësishme si dhe për investime në projekte që përforcojnë kornizën energjetike të Kosovës, si dhe sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë.